Lajme

Veliu për Abdixhikun: Ka hyrë nga dritarja në LDK

Ish-nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, i cili tha se “LDK ua mbyll derën atyre që s’kanë më çka i japin kësaj partie”, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, Veliu deklaroi se kryetari aktual, “hyri nga dritarja në LDK”, derisa kërkoi përgjegjësi nga ai për humbjen e këtij subjekti politik në qytetin e Podujevës.

Lexo edhe:
Abdixhiku për Veliun: LDK ua mbyll dyert atyre që s’kanë çfarë t’i japin më kësaj partie

“Në vend se të marr përgjegjësi dhe bashkë me kandidatin e tij të kërkojnë falje për humbje në garë për Podujevën, Lumir Abdixhiku, që hyri nga dritarja në LDK, i paska marr çelësat e partisë që t’ua mbyllë derën e shtëpisë atyre që e ndërtuan dhe me sakrificë e mbajtën dhe e ngritën për 30 vjet”, shkroi ndër tjerash ai.

Tutje, Veliu duke e quajtur Abdixhikun “autokrat të katapultuar”, tha se është anëtarësia e LDK-së ajo që vendos për anëtarësimin e çdo personi në këtë subjekt politik.

“Autokratit të katapultuar në krye të partisë, që paska kërcënuar me mbyllje dyersh e diferencime, ia bëj me dije se është anëtarësia e LDK-së ajo që vendos për vendin e secilit në parti dhe jo ai me vendime kundërstatutare.

Heshtja e deritashme nuk do të thotë se unë si kryetar i Degës së LDK-së do të dorëzohem përballë ndërhyrjeve kundërligjore dhe kundërstatutare të Lumirit, në degën e Podujevës. Lokomotivisti Abdixhiku paska thënë se nuk do të ketë kthim mbrapa të trenit, të cilin ai tashmë e konsideron pronë të tij”, shkroi ndër tjerash ai./SHQIP.com