Lajme

Veliaj uron kryetarin e ri të Prishtinës, çmon lartë punën e Ahmetit

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e ka uruar Përparim Ramën për pranimin e detyrës së të parit të Prishtinës, njofton Shqip.com.

Veliaj me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, teksa uroi Ramën për detyrën e re, e ka çmuar lartë punën e deritanishme të ish-kryetarit Shpend Ahmeti.

Ai tha se për këto vjet qeverisje me Prishtinën, Ahmeti e ka transformuar kryeqytetin e Kosovës dhe e ka vendosur atë në hartën e qyteteve moderne.

“Shpend Ahmeti e transformoi Prishtinën në një vend funksional, të pastër, plot jetë – thënë troç, e vendosi ne hartën e qyteteve moderne. Bravo mik! Sot e merr stafetën, miku ynë i përbashkët Përparim Rama për ta çuar akoma me tej punën e nisur! Suksese dhe të priftë e mbara!”, ka shkruar Veliaj. 

Të martën e 7 dhjetorit, Rama me ceremoni inauguruese zyrtarisht mori postin e kryetarit të Prishtinës.

Rama u betua para asamblesë komunale që do t’i kryejë detyrat e kryetarit të Prishtinës në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin. /Shqip.com