Vdiq mjeku që ishte në autoambulancën e aksidentuar në Gjakovë

Ka vdekur mjeku i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, Mentor Salihi, i cili kishte qenë në autoambulancën që u aksidentua ditë më parë në Gjakovë.
Përveç Salihit, ditë më parë ka ndërruar jetë edhe vozitësi i autoambulancës Skofiar Gjini.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe kolegëve të Salihit dhe Gjinit.
“Ata do të kujtohen si profesionistë që i shërbyen me përkushtim jetës së qytetarëve deri në momentin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta”, thuhet në mesazhin e Latifit.
Po ashtu, edhe nga Oda e Mjekëve të Kosovës ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Salihit.
“Detyra e mjekut si shpëtimtar jete, bëri që Dr. Salihi të ishte në autoambulancën që u aksidentua ditë më parë në Gjakovë. Oda e Mjekëve të Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij”, thuhet në mesazh.
Aksidenti kishte ndodhur më 30 qershor në lagjen Dardania (Piskotë), mes autoambulancës dhe një veture te tipit Golf.
Në mjetin e autoambulancës kanë qenë vozitësi Skofiar Gjini, doktori Mentor Salihu, infermieri Faton Brahimaj dhe pacienti Zef Dula./Shqip.com