Kulturë

Vdes njëri ndër solistët e parë të baletit në Shqipëri

Në moshën 83-vjeçare ka vdekur njëri ndër solistët e parë të baletit në Shqipëri, Albert Janku.

Lajmin e ka bërë të ditur, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor duke shprehur kështu edhe hidhërimin për këtë humbje artistike.

“Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me hidhërim të thellë mësoi për ndarjen nga jeta, në moshën 83 – vjeçare, të një nga figurave më të spikatura të Baletit, Artistit të Merituar” Albert Janku”, thuhet në njoftim.

Janku e nisi karrierën e tij në vitin 1955 si kërcimtar e stolit i baletit për të vazhduar kështu për 40 vite.

Teatri tregoi edhe për rolet e Jankut në baletet kombëtare e që dalin të jenë të shumta.

“Spikasin rolet në baletet kombëtare si atë të Jonuz Bruges në baletin “Bijtë e Peshkatarit”, të komisarit në baletin “Fatosi Partizan” të Benit në rapsodinë koreografike “Historia e një kënge”, atë te Bektash Agës në baletin “Halili dhe Hajria”, të Don Markut në baletin “Cuca e Maleve”. Interpretues i shumë roleve edhe në baletet e huaja të vëna në skenë nga Teatri i Operas dhe Baletit si në baletin “Francesca da Rimini”, baletin “Lola”, “Fadeda”, “Zhurale”, “Laurencia”, “Don Kishot: etj”.

Krijimtaria e Jankut nuk ishte e përsosur vetëm Brenda kufinjeve të Shqipërisë.

“Albert Janku ka marrë pjesë edhe në një seri numrash koncertalë të dhëna në TKOB dhe jashtë kufijve të vendit me trupën e baletit dhe atë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku ka spikatur talenti i tij duke marrë vlerësime nga kritika e publiku. Nderuar me titullin “Artist i Merituar”, edhe pse në moshë të thyer nuk u shkëput nga ky teatër, duke ndjekur me vëmendje çdo shfaqje që është vënë në skenë. Nuk ka munguar kontributi i tij edhe në fushën e pedagogjisë, si koorepetitor, konsulent në mjaft balete, autor i shumë artikujve mbi baletin, portrete artistësh e monografish”.

TKOBAP së fundi iu shprehu ngushëllime familjarëve e miqve të Jankut për humbjen e tij.

/Shqip.com