Lajme

Vdekja e të miturit në një serrë në Viti, Komuna shpreh ngushëllimet për familjen

Komuna e Vitisë.

Mbrëmjen e së shtunës, në fshatin Drobesh të Vitisë është gjetur pa shenja jete një i mitur në serrën afër shtëpisë së tij, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, Komuna e Vitisë ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës, duke thënë se me dhimbje të thellë kanë marrë lajmin për vdekjen e tij.

“Në emër të kryetarit të Komunës, Sokol Haliti, Drejtorisë së Arsimit dhe Institucioneve Komunale, pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta. Ndajmë dhimbjen me ju në këto momente të vështira dhe pikëllimi. Ngushëllime!”, thuhet ndër tjerash në telegramin e Komunës.

Ndërkaq, edhe shkolla “Dëshmorët e Kombit” në të cilën viktima i vijonte mësimet, shprehu ngushëllime familjes për vdekjen e tij.

“Drejtoria e shkollës në emër të personelit të shkollës, në emër të nxënësve dhe këshillit drejtues ju shprehë ngushëllimet më të sinqerta familjes Dinarica. Zoti e mëshiroftë me xhenet, ndërsa familjes zoti ju dhashtë durimin dhe forcën e ju lehtësoftë dhimbjen”, thuhet në telegram ngushëllimin e shkollës.

Ndryshe, Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh njoftoi për vdekjen e të miturit, duke treguar se trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Por, Shqip.com ka mësuar përmes burimeve se dyshohet që viktima ka bërë vetëvrasje./SHQIP.com