Lajme

Vazhdon operacioni “Brezovica”, bastiset Ministria e Mjedisit

Ilustrim

Një aksion policor ka nisur në orët e para të mëngjesit të së enjtes në tri qytete të Kosovës; Prishtinë, Ferizaj e Shtërpcë.

Aksioni është shtrirë edhe në tri zyra të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, i cili tha se këto bastisje janë vazhdim i aksionit të 21 dhjetorit të vitit të kaluar që u zhvillua në Komunën e Shtërpcës.

“po, është duke vazhduar aksioni i koduar ‘Brozovica’. Bastisje janë duke u kryer në tri qytete dhe në Ministrinë e Mjedisit, në tri zyre të saj”, tha Jashari.

Aksioni i koduar “Brezovica”, siç ka njoftuar Prokuroria në Ferizaj, është zhvilluar në 12 lokacione në rajonin e Ferizajt, Prishtinës dhe Shtërpcës.

Sipas autoriteteve, tetë nga 10 të arrestuarit janë nga rajoni i Ferizajt dhe dy nga i Prishtinës.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq. Ky i fundit dyshohet se ka fituar dhurata në vlerë milionëshe për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës.

“Dyshohet se janë disa vila, që janë përfituar si dhurata, vetura të dhëna si dhurata për lëshimin e lejeve (për ndërtimin e shtëpizave të vikendit në parkun Sharri)”, tha prokurori i rastit, Rasim Maloku në një konferencë për media të organizuar pas aksionit.

Hetimet për këtë rast, sipas Malokut, kanë filluar në vitin 2019 dhe është ngritur aktakuzë për dhjetë persona.

“Në këtë çështje hetimet kanë filluar në vitin 2019 dhe është ngritë një aktakuzë për dhjetë persona, e cila veç është në fazën e gjykimit në Gjykatën e Ferizajt, kurse në vitin 2020 kemi bërë një hetim të ri ndaj dhjetë personave, ku pastaj e kemi zgjeruar hetimin edhe ndaj dhjetë personave”, ka sqaruar ai.

Ndërkaq, Agron Haziri nga Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë bastisjeve janë sekuestruar para të gatshme në vlerë prej mbi 61 mijë eurosh, tetë vetura në vlerë prej 300 mijë eurosh si dhe monedha të ndryshme, përfshirë dollarë, denarë maqedonas, dinarë serbë dhe valuta të tjera.

Po ashtu të dyshuarve u janë gjetur edhe pistoleta e pushkë ajrore, si dhe aparate për prodhimin e kriptovalutave.

Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në Kosovë.

Në krye të saj, që nga themelimi në vitin 2009 e deri në fund të nëntorit 2021, ishte Nikoliq, nga radhët e Listës Serbe./SHQIP.com