Lajme

Vazhdon gjykimi ndaj Pjetër Shala

Ish-ushtari i UÇK-së, Pjetër Shala
Ish-ushtari i UÇK-së, Pjetër Shala

Edhe sot gjatë ditës së martë do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shalës.

Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se seanca gjyqësore do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve duke filluar nga ora 09:30.

Kujtojmë se dje është paraqitur dëshmitari i parë i prokurorisë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës që akuzohet për krime lufte.

Deshmitari ka deklaruar se babai i tij ishte officer policie dhe se ishte pensionuar në vitin 1997.

Gjatë dëshmisë së tij, ai pretendon se Pejtër Shala i kishte thënë babait të tij “pse nuk na ke pritur te shtëpia pasi unë kam ardhur me të marrë atë ditë” gjatë mbajtjes në hekurishtë në Kukës.

Dëshmitari tha se kanë pasur marrëdhënie të mira me komunitetin në vendin ku banonin dhe kjo ka qenë arsyeja e pensionimit të dhunshëm të babait të tij.

Tutje, ai shtoi se si familje kanë qenë aktive në politik dhe se e kanë përkrahur Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Kurse në pyetjet e prokurorit, Filipo De Miniqis, se perse nuk e kishte përmendur Shalën gjatë intervistimit në nga Tribunali i Hages për krimet në ish-Jugosllavi, dëshmitari deklaroi se nuk e dinte pse, duke shtuar se mbase hetuesit nuk e kanë pyetur.

Nga prokurori De Miniqis, dëshmitari u pyet se a i kishte ndodhur diçka familjës së tij në maj të vitit 1998.

“Me 9 maj sa me kujtohet, kanë ardh dy persona të UÇK-së nga Jabllanice, kanë ardh dhe kanë fol me vllaun gjoja për dorëzimin e armëve që i kemi pas për mbrojtjen e fshatit. Vllau ju ka than se nuk është baba këtu.  Kur jam dal unë me kan thanë se armët me i dorëzua se ky është urdhër i Lahi Ibrahimajt, ju kam than se armët i kemi për mbrojtjen e fshatit”, ka deklaruar dëshmitari i prokurorisë.

Gjykimi ndaj Shalës filloi më 21 shkurt të këtij viti. Gjatë kësaj seance, ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting, ka thënë se Pjetër Shala ka qenë pjesë e një grupi në të cilin ishin të përfshirë Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi.

Sipas deklaratës hyrëse të tij në seancën gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, prokurori Wihting tha se këta persona kishin shkaktuar vdekjen e një personi duke e rrahur dhe duke e goditur me armë në këmbë.

Sipas aktakuzës së prezantuar nga prokurori, Pjetër Shala së bashku me grupin e tij kanë keqtrajtuar në mënyrë jo njerëzore të paktën 18 viktima në qendrën e ndalimit në ish-fabrikën e metalit në Kukës ku njëra prej këtyre viktimave edhe është vrarë.

“Aktakuza e çështjes gjyqësore pretendon se ky grup kriminal që përfshinë edhe të akuzuarin, kanë ndaluar dhe keqtrajtuar në mënyrë barbare të paktën 18 viktima në qendrën e ndalimit që ndodhej brenda territorit të ish-fabrikës së Metalit në Kukës. Ky grup kriminal duke përfshirë edhe të akuzuarin ka vrarë njërin prej këtyre viktimave në natën e 4 apo 5 qershorit 1999 apo përafërishtë atë kohë”.

Ndalimi i viktimave sipas aktakuzës është bërë për shkak se grupi i Pjetër Shalës i kishte cilësuar si të afërt me serbët e që kanë merituar dënim e poshtërim.

Krahas kësaj, prokurori Whiting përshkroi edhe aktet që sipas aktakuzës ka kryer Pjetër Shala dhe grupi i tij ndaj viktimave të pretenduara.

“Ai ka marrë pjesë në rrahjen e vazhdueshme të të burgosurve në këtë pikë ndalimi që përfshinte rrahjen me shufra hekuri dhe të mprehta ku si rezultat i këtyre rrahjeve viktimat janë mbuluar me gjak të shoqëruar me thyerje të eshtrave dhe nuk kanë qenë në gjendje të ecin me këmbët e tyre. I akuzuar ka qenë pjesë e një grupi që kanë vrarë një person të cilin e kanë rrahur në mënyrë të vazhdueshme dhe të ashpër si dhe duke e gjuajtur me armë në këmbë duke bërë që ai të kishte hemorragji ku u shkaktua edhe vdekja e tij”.

Ndërsa, kujtojmë se në fillim të seancës gjyqësore, Pjetër Shala kishte deklaruar se e ka kuptuar aktakuzën, por që është deklaruar i pafajshëm dhe duke thënë se të gjitha këto janë trillime dhe gënjeshtra.

/Shqip.com