Lajme

Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Ish-krerët e UÇK-së
Ish-krerët e UÇK-së

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dalin përsëri para trupit gjykues në Gjykatën Speciale, ku do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj tyre. Kjo është seanca e dytë  pas një pushimi trejavor të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do të dëgjojnë dëshmitarin e radhës kundër tyre, të cilin e sjell Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës.

Ky dëshmitar ka dëshmuar edhe ditën e djeshme i cili duke e komentuar një deklaratë të UÇK-së, të cilën e paraqiti prokurori i ZPS-së, ka thënë se në zonë të Llapushnikut nuk kishin simpati për LDK-së dhe për Ibrahim Rugovën, duke theksuar se, sipas tij, për komandën e UÇK-së, Rugova ka qenë pengesë.

Ndërkaq, Gregory Kehoe, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kishte thënë se ndaj klientit të tij po tentohet të fabrikohen dëshmitarë.

Ai e ka përmendur një intervistë në mediumin Nacionale ku Ndue Gjini thoshte se i është kërkuar të gjejë dëshmitarë katolikë për të dëshmuar kundër Thaçit.

/Shqip.com