Lajme

Vazhdon dëshminë dëshmitari i 44-të i ZPS-së në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të mërkurën po vazhdon dëshminë në seancë të mbyllur për publikun dëshmitari i 44-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin 04325, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitari i 44-të është me masa mbrojtëse, ndërsa dëshmia e tij filloi të martën (30 janar), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të pranishëm në seancën gjyqësore janë të gjithë të akuzuarit me përjashtim të Jakup Krasniqit, i cili po e përcjell seancën me video-lidhje.

Të martën, avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka kërkuar që dëshmia e tij të dëgjohet në seancë publike. Sipas tij, ky dëshmitar ka pranuar se ka gënjyer dhe është përpjekur që të manipulojë procesin gjyqësor për llogari të shërbimit sekret serb.

Kurse, prokurori Matt Halling pati kundërshtime për parashtrimin e Emmersonit lidhur me dëshmitarin e 44-të të ZPS-së.

Lidhur me këto parashtrime, kryetari i trupit gjykues vendosi që ta rrëzojë kërkesën e avokatit Emmerson, kështu që dëshmia e dëshmitarit të 44-të të ZPS-së të dëgjohet në sesion privat.

Ndryshe, disa nga seancat e fundit të Gjykatës Speciale lidhur me rastin e ish-krerëve të UÇK-së janë mbajtur në sesion privat për publikun, me arsyetimin për mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve. Mirëpo, kjo gjendje ka shkaktuar mosinformim për publikun lidhur me fatin e dëshmive të disa dëshmitarëve.

Dëshmitari i 39-të dhe ai 43-të kanë dëshmuar në seancë private, ndërsa pas hapjes së seancës nuk është njoftuar nëse këta dëshmitarë kanë përfunduar dëshminë e tyre, por seanca ka vazhduar duke i ftuar dëshmitarët e radhës.

Ndërsa, DhSK-ja në një përgjigje me shkrim për “Betimi për Drejtësi” ka njoftuar se këta dëshmitarë tashmë kanë përfunduar dëshmitë e tyre.

“Po. Të dy këta dëshmitarë i kanë përfunduar dëshmitë e tyre”, tha zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

/Shqip.com