Kulturë

Vazhdojnë punimet në Qendrën e Kulturës në Rogovë, hapësira përfshin sallë teatrale deri 420 ulëse

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, po vazhdon punimet në Qendrën e Kulturës në Rogovë të Hasit.

Kështu ka njoftuar ministri Hajrulla Çeku, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Po vazhdon puna në Qendrën e Kulturës në Rogovë, hapësirë moderne e cila përfshin sallën kryesore teatrale më kapacitet deri 420 ulëse, bibliotekën, sallën e seminareve, sallën e sporteve marciale, e gjithashtu arkivin dhe hollin për ekspozita”, ka shkruar Çeku.

Tutje, ai ka thënë që MKRS është e përkushtuar që punimet në këtë qendër të përfundojnë sa më shpejt, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës kulturore dhe krijimit të mundësive për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, sportive dhe rinore.

Sipas Çekut, ky projekt pritet të përfundojë në fund të këtij viti dhe të jetë në dispozicion të të rinjve dhe komunitetit kulturor e sportiv duke u ofruar hapësira të mirëfillta e gjithëpërfshirëse./Shqip.com