Lajme

Vasfije Krasniqi-Goodman e VV-së dorëzon mandatin e deputetes

Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi.
Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi – Goodman ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetes në Kuvendin e Kosovës.

Lajmin e ka bërë publik vetë deputetja e cila thotë se e ka bërë për arsye shëndetëdore.

Ajo ka thënë se trajtimi që duhet ta marrë çdo muaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia pamundëson angazhimin në Kuvend.

“Duke qenë se jam në një trajtim mjekësor, dhe si rezultat në këtë fazë të trajtimit më duhet që për çdo muaj të kem vizita të rregullta, dhe përderisa i njëjti mund të zgjas, mua më vështirësohet, përkatësisht pamundësohet tani dhe ndoshta edhe në të ardhmen realizimi i obligimeve të mija si deputete.

Kështu edhe përkundër dëshirës sime që unë të vazhdoj me përfaqësimin e juaj në Kuvend, më duhet të ju njoftoj se unë kam vendosur të japë dorëheqje nga pozita e deputetes”, ka shkruar Krasniqi-Goodman.

Krasniqi-Goodman. arriti të bëhet deputete e legjislaturës së tetë e Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e tetorit të vitit 2021.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Krasniqi Goodman ka arritur që të marr gjithsej 60.885 vota,.

Krasniqi Goodman në këtë legjislaturë është bërë deputete për herë të parë.

Kuvendi i Kosoves

Kush është Vasfije Krasniqi – Goodman?

Vasfije Krasniqi-Goodman është grua e mbijetuar nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ajo është gruaja e parë që rrëfeu për torturat që ka përjetuar gjatë luftës në vitin 1999.

Në letrën që ajo kishte publikuar në Facebook gjatë vitit 2017, Krasniqi i ishte drejtuar rrëmbyesit dhe dhunuesit të saj.

Ajo ishte marrë nën kërcënimin e armëve nga shtëpia e saj më 13 prill 1999 nga një burrë me uniformë të Policisë së Serbisë.

Në letrën e saj, Krasniqi-Goodman kujton se si dhunuesi i kishte kërkuar që ta vriste atë në vend.

Tashmë 36-vjeçare, Krasniqi pati thënë se ajo e shkroi letrën e saj për t’i fuqizuar gratë e tjera.

“Nuk më vjen turp dhe nuk kam frikë. Unë do ta bëj pjesën time. Të gjithë e dinin se një polic serb më mori. Të gjithë e dinin se një vajzë 16-vjeçare nuk do merrej për deklaratë nga forcat policore serbe”, kishte deklaruar ajo.

36-vjeçarja, e cila ishte qenë vetëm 16-vjeçare në kohën kur i ishte nënshtruar torturave dhe dhunimit seksual, tanimë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është nënë e dy fëmijëve./Shqip.com