Varrosen nënë e bijë nga Gjakova që vdiqën tragjikisht në Kroaci
Nënë e bijë nga komuna e Gjakovës që humbën jetën në aksidentin tragjik që ndodhi të dielën në Slavonski Brod të Kroacisë, janë varrosur të mërkurën në vendlindje.
45-vjeçarja, V.B., dhe e bija 18-vjeçare, E.B., janë në mesin e 10 viktimave nga ky aksident.
Mes dhimbjes e lotëve para pak çastesh atyre iu dha lamtumira e fundit.
Në aksidentin e së dielës që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë, ku u përfshi një autobus me targa të Kosovës mbetën të vdekur 10 persona, ndërsa u lënduan 45 udhëtarë.
Autobusi i linjës Frankfurt – Prishtinë, kishte 67 udhëtarë, të gjithë shqiptarë që po vinin në Kosovë për pushime.
Në autobus ishin dy shoferë, njëri prej të cilëve vdiq në aksident, derisa tjetri, që ishte duke e drejtuar autobusin, është në paraburgim prej një muaji në Kroaci.
Masa e paraburgimit është vendosur dje nga Gjykata e Qarkut në Slavonski Brod./SHQIP.com