Kulturë Kino Lufta për mbijetesë në Kosovën e vitit 1999, vjen përmes filmit “Sofra e Varrit”

Varri- shpëtim për të gjallin

Skenë nga filmi "Sofra e Varrit"

Të vdekurit rrinin mbi tokë.

Por, për të gjallët varri u shndërrua në shpëtim.

Këtë mesazh e përcjell edhe filmi “Sofra e Varrit”, që trajton luftën e Ukës për të mbrojtur anëtarët e familjes gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Filmi trajton një ngjarje në bjeshkët e larta ku njëri nga personazhet e vetme të mbetura, Uka ballafaqohet me mbrojtjen e vajzës dhe nipit të tij që të mos bien në duar të paramilitarëve. Ata kanë arritur të ikin nga fshati i tyre ku janë vrarë i gjithë fshati dhe mbërrijnë në bjeshkët e larta që të gjejnë strehim tek babai Uka”.

“Duke ditur që paramilitarët do të vijnë së shpejti edhe në bjeshkë, Uka vendos të hap një varr të improvizuar ku mund të jetojnë brenda vajza dhe nipi i tij. Ai krijon varrin e improvizuar afër varrit të vërtetë të gruas së tij”, tregon autori i filmit Mentor Zymberaj.

“Sofra” simbolizon lojën “psiqike” të Ukës dhe luftën për mbijetesë, për të shpëtuar nga duart e paramilitarëve.

“Mbi gjithë torturën që e përjeton Uka nga paramilitaret arrinë ta shpëtoj nipin por jo edhe vajzën…”, tregon vetë skenaristi Zymberaj.

“Emri i filmit “SOFRA E VARRIT”, është përzgjedhur si aksent i rëndësishëm i filmit në të cilin Uka shtron sofrën në mesin  e dy varreve dhe luan lojën e bjeshkatarëve duke u paraqitur si “i çmendur” që të mos dyshojnë paramilitarët në varrin e improvizuar”, thotë Zymberaj.

“Sofra e Varrit”, i konsideruar si ambasador kulturor në botë, deri më tani është shfaqur në Festivalin Ndërkombëtarë të Filmit në Moskë ARTKINO.

Për këtë, Zymberaj thotë se filmi është pritur mjaftë mirë dhe se është ftuar të marrë pjesë edhe në dy festivale tjera ndërkombëtare: “The PALACE International Film Festival” në Sofie të Bullgarisë i cili ështe festival i kualifikimeve për “OSCAR” dhe në “The 4 th MEIHODO International Youth Visual Media Festival” në New York.

Zymeraj thotë se secili njeri që ka përjetuar luftën, jetën e ka film në vete.

Andaj, vlerëson se është punuar pak në trajtimin e temave të luftës në kinematografinë e Kosovës.

“Aq pak është punuar në trajtimet e temave të tilla sa që si skenarist e po ashtu edhe si aktor e regjisor i kësaj kohe i kam borxh që me artin tim filmik dhe teatror t’i përkushtohem plagëve e  sakrificave dhe heroizmave dhe fateve njerëzore të cilat ende janë të njoma”, ka thënë Zymberaj për Shqip.com.

“Sofra e Varrit”, është shfaqur si Para Premierë më 21.06.2021 në Prishtinë, me regji të Mirak Zymberaj.

Kurse, ky nuk është filmi i vetëm që po prezanton Kosovën në botë, të tillë janë edhe filmat “Pa Vend”, “Vera andrron detin”, si dhe “Zgjoi”, i cili tashmë është në listën e ngushtë të nominimeve për “Oscars”./Shqip.com