Sport Shqiptar

Valon Zymberi: Kuvendi i mbajtur është i jashtëligjshëm – kemi opsion bojkotin e garave

Valon Zymberi

Drejtori Sportiv i klubit Drita, Valon Zymberi – që është njëkohësisht delegat i klubit në FFK – foli rreth zhvillimeve të Kuvendit Zgjedhor të mbajtur sot, ku Agim Ademi u rizgjodh kryetar dhe mori mandatin e dytë.

Ai tha se ky kuvend nuk ka transparencë madje as për media dhe se kjo ka të bëjë me cënimin e lirisë së shprehjes.

“Dita e Kuvendit është dashur të jetë festive dhe ta japim mendimin tonë. Nuk jeni lejuar as ju gazetarët të merrni pjesë. Është cenimi i lirisë së shprehjes”, tha Zymberi.

“Ne si grup që mendojmë ndryshe jemi deklaruar që nuk e mbështesim këtë Kuvend, pasi opinioni ligjor i MKRS-së e ka thënë se është shkelur statuti. Neve na është mohuar kandidatura e rregullt që ka mbështetje [e Gramoz Vokrrit], por nuk na është lejuar nga organet përgjegjëse.”, shtoi ai.

Zymberi po ashtu e shprehu dyshimin të ketë pasur manipulime me delegatë, pasi sipas tij, nëse pala tjetër i ka 43 nënshkrime, e 15 janë në opozitë dhe 7-8 të tjerë nuk kanë shkuar në Kuvend, i bie që kalohet numri i 58 delegatëve të mundshëm.

Fleta e delegatëve opozitar

“Kandidati ynë ka qenë legjitim, ja ku mund ta shihni listën me nënshkrime. Duhet të intervenojë MKRS-ja dhe organet përgjegjëse. Në të kundërtën, nëse nuk merren masa nga institucionet, mbetet në opsionin tonë bojkoti i garave”, përfundoi ai.

Përndryshe, klube opozitare ndaj Agim Ademit janë konfirmuar klube si Drita, Prishtina, Trepça ’89, Malazog Hoxha i Lidhjes Rajonale Gjilani, si dhe përfaqësues nga KIKA dhe Vitia. /Shqip.com