Lajme

Vaksinimi i fëmijëve nën 18 vjeç i nevojshëm për imunitet kolektiv

Vaksinimi anti-COVID

Vaksinimi i fëmijëve të moshës 7 deri në 18 vjet po vlerësohet i nevojshëm për të arritur imunitetin kolektiv që do të parandalonte rritjen e rasteve me COVID-19, transmeton Shqip.com.

Kështu thotë infektologu kosovar, Ilir Tolaj, i cili shprehet se pasi të arrihet imuniteti kolektiv edhe me vaksinimin e fëmijëve, atëherë mund të aplikohet edhe doza e tretë e vaksinës.

Në disa shtete ka filluar të aplikohet doza e tretë e vaksinës, ku po rekomandohet për personat që kanë imunitet të dobët.

“Për Kosovën është e rëndësishme që pjesa më e madhe të jetë e përfshirë me dy dozat e vaksinës, kur e them këtë që të përfshihen edhe fëmijët nga mosha 7 deri në 18 vjeç, në mënyrë që ta kompletojmë së pari këtë vaksinimin bazik prej dy dozave dhe së bashku me ata të cilët e kanë kaluar sëmundjen, të krijojnë një imunitet kolektiv i cili do ta ndalojë hovin e pandemisë dhe të na parandalojë ndaj një vale të re e cila mund të shfaqet, duke përfshirë këtu edhe fëmijët”, tha ai për EO.

“Pasi që të jetë arritur ky qëllim atëherë është e mundur dhe që të fillohet edhe me dozën e tretë dhe tash për tash autoritetet shëndetësore dozën e tretë e rekomandojnë vetëm për rastet që janë të dokumentuara se kanë një defekt në imunitet”, shtoi Tolaj.

Në rast se institucionet përkatëse nuk tregohen të suksesshme gjatë procesit të vaksinimit, atëherë vala e tanishme e Covid-19 mund të vazhdojë, por që Tolaj nuk e përjashton edhe mundësinë e një vale tjetër në vjeshtë, apo të një varianti të ri nëse është e madhe përqindja e popullatës që ende nuk e kanë kaluar infeksionin apo që nuk janë vaksinuar.

“Nëse nuk jemi të suksesshëm në vaksinim, atëherë mund të kemi një vazhdim të kësaj vale pak më gjatë se zakonisht ndërsa mos përfshirja me vaksinim është e qëndrueshme në aspektin kohor atëherë mund të kemi valë tjetër, dhe nëse ka përqindje të popullatës që nuk e kanë kaluar infeksionin dhe nuk janë vaksinuar gjithnjë do të ekzistojë rreziku që një variant i ri do të përfshij atë pjesë të popullatës”, tha Tolaj.

Sot kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID për të cilat ka marrë vendim dje Qeveria, pas rritjes enorme të vdekjeve dhe rasteve të reja pozitive me Coronavirus në Kosovë.

Këto masa përfshijnë kthimin e orës policore, shtyrjen e mësimit deri më 13 shtator, lejimin e veprimtarisë së gastronomisë deri në orën 21:30, e madje edhe mbajtjen e maskës në ambientet publike. /Shqip.com