Kulturë

Utah padit Joe Biden për zgjerimin e monumenteve të rëndësishme arkeologjike

Shteti i Utah-s ka paditur Presidentin e Shteteve tw Bashkuara tw Amerikws, Joe Biden, pas një vendimi të marrë vitin e kaluar për të rivendosur mbrojtjen mjedisore për Bears Ears dhe Grand Staircase-Escalante Monumentet Kombëtare në shkretëtirën e shtetit, raporton Artnews.

Administrata e Biden e bëri këtë pas një vendimi të diskutueshëm nën administratën Trump për të zvogëluar madhësinë e vendeve të mbrojtura në vitin 2017.

Një total prej 1.87 milion hektarësh rreth Grand Staircase-Escalante u caktua si tokë e mbrojtur në urdhrin ekzekutiv të Biden, duke rivendosur kështu kufirin e vitit 1996 të vendosur nga ish-presidenti Clinton.

Për më tepër, Biden zgjeroi Bears Ears në 1.36 milionë hektarë, që është një rritje e vogël nga sipërfaqja që Presidenti Obama shtroi në 2016.

Në të kundërt, në vitin 2017, ish-presidenti Donald Trump zvogëloi sipërfaqen e Grand Staircase-Escalante me pothuajse gjysmën e madhësisë së saj dhe Bears Ears me 85 përqind. Vendimi i tij ishte ulja më e madhe e mbrojtjes së tokës federale në historinë e SHBA-ve.

Mijëra thesare arkeologjike, mes tyre piktura të lashta shkëmbore, fragmente qeramike dhe fosile dinosaurësh, janë gjetur në të dy vendet.

Një padi e paraqitur në gjykatën e qarkut të SHBA javën e kaluar nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Utah-s argumenton se Biden ka tejkaluar autoritetin e tij të dhënë nga Akti i Antikiteteve. Statuti i vitit 1906, i cili u nënshkrua në ligj nga ish-presidenti Theodore Roosevelt, i jep presidentit në detyrë autoritetin për të krijuar monumente kombëtare në tokën federale.

Sipas padisë, akti i lejon presidentit të rezervojë “zonën më të vogël në përputhje me kujdesin dhe menaxhimin e duhur”.

Me senatorët e shtetit Mike Lee dhe Mitt Romney, dhe me kongresmenët Chris Stewart, John Curtis, Burgess Owens dhe Blake Moore, guvernatori i Utah-s, Spencer Cox lëshoi ​​një deklaratë të përbashkët mbi atë që ai e konsideron një “tejkalim abuziv federal”.

“Vlerat arkeologjike, paleontologjike, fetare, rekreative dhe gjeologjike duhet të harmonizohen dhe mbrohen,” shkruajnë senatorët.

Sipas tyre, emërimet e paligjshme të Presidentit Biden i vendosin në rrezik më të madh në vend që t’i ruajë ato burime.

Zgjerimi i vendeve nga Biden, argumentojnë politikanët, tërheq nivele të pamenaxhueshme vizitash në këto toka pa ofruar asnjë nga mjetet e nevojshme për të ruajtur dhe mbrojtur në mënyrë adekuate këto burime.