Sport Ndërkombëtar

Usyk – Fury, meçi është “detyrim” i dy boksierëve

Oleksandr Usyk ka “detyrim” të përballet me Tyson Fury në një betejë që do të unifikojë titujt kampionë bote të peshave të rënda. Është kjo deklarata e dhënë nga promotori i ukrainasit, pak ditë para duelit që Usyk do të zhvillojë në Poloni ndaj britanikut Daniel Dubois, ku do të mbrojë titujt e WBA, WBO dhe IBF.

Bisedimet për një përballje kundër kampionit britanik të WBC, Fury, u ndërprenë në fillim të këtij viti.
“E gjithë bota dëshiron ta shohë këtë përballje, jo vetëm ne apo njerëzit e përfshirë në boks, por e gjithë bota. Njerëzit që nuk dinë asgjë për boksin do të donin të shihnin luftën e padiskutueshme të peshave të rënda për katër titujt për herë të parë në epokën me katër tituj”, tha promotori i Usyk, Alexander Krassyuk.

“Unë mund t’u premtoj të gjithë fansave në mbarë botën se do të bëj gjithçka që mund të varet nga unë për të realizuar këtë duel. Është detyrimi ynë për ta zhvilluar këtë sfidë”, tha promotori i ukrainasit, që ka mbërritur në Poloni për duelin e së shtunës.

Usyk është i pamposhtur në ring, duke i fituar 20 duelet e deritanishme.

Fury, 35 vjeç, gjithashtu është i pamposhtur (33 fitore e 1 barazim). “The Gypsy King” do të përballet me luftëtarin MMA-së, Francis Ngannou, në një duel jo për titull më 28 tetor, në Arabinë Saudite.

“Unë mendoj se janë para të lehta për Tyson Fury. Mua më duket pak e çuditshme. Një djalë që është kampion i peshave të rënda në vend që të luftojë me një djalë nga top 10, papritmas zgjedh si kundërshtarin e tij një që vjen nga UFC. Për Ngannou, kjo është e bukur, por për Tyson Fury, nuk është”, tha Usyk.

/Shqip.com