Lajme

Ushtria serbe vendos artileri afër Jarinjës

Ekipi i elevizionit N1 ka vërejtur se duke arritur në vendkalimin Jarinje, në Rudnicë, dy kilometra para Jarinjës, ka vendosur gjashtë topa me rreze të gjatë të ushtrisë serbe dhe një numër i caktuar i policisë ushtarake.

Ai përkujton se pasi mbrëmë janë shfaqur informacionet për të shtënat në Zubin Potok, është takuar i gjithë kryesimi i ushtrisë serbe dhe shefi i shtabit të përgjithshëm, Milan Mojsiloviq ka shkuar në Rashkë. Ai tha për TV Pink se këto janë detyra komplekse dhe se ushtria me siguri do t’i përmbushë, pa dhënë detaje.

Gazetari N1 shton se situata ishte krejtësisht identike si vitin e kaluar kur rruga Jarinje-Leposaviq u bllokua, në të njëjtin vend u vendosën automjete të blinduara dhe disa herë mbi të fluturuan avionë ushtarakë.

Ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, ka mbërritur në garnizonin e Rashkës ku është pritur nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviq dhe gjatë ditës, siç thuhet nga Ministria e Mbrojtjes, do të vizitojë edhe disa nga njësitet të Forcave të Armatosura serbe në terren.

Mediat pro-qeveritare në Beograd kanë raportuar mbrëmë se në Zubin Potok është dëgjuar një zjarr, ndërsa disa kanë thënë se ka pasur shkëmbim zjarri mes serbëve vendas dhe policisë së Kosovës. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka pasur incidente mes pjesëtarëve të saj dhe ndonjë grupi në veri të Kosovës.

Përfaqësuesit e KFOR-it kanë bërë të ditur se në Zubin Potok ka pasur të shtëna, por se në atë incident nuk ka të lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale. Ata deklaruan se po hetojnë incidentin në Zubin Potok dhe u bënë thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin retorikën dhe lëvizjet që mund ta përkeqësojnë situatën.

/Shqip.com