Lajme Botë

Ushtria izraelite: Kemi vrarë 60 luftëtarë palestinezë në Gazë

Ushtarët izraelitë në Han Junis në dhjetor të vitit 2023.
Ushtarët izraelitë në Han Junis në dhjetor të vitit 2023.

Forcat izraelite kanë vrarë afër 60 luftëtarë palestinezë në Rripin e Gazës, tha ushtria izraelite përmes një njoftimi në 18 janar.

Në njoftimin u tha se luftëtarët u vranë në operacionet e ushtrisë izraelite gjatë 24 orëve të fundit.

Afër 40 luftëtarë u vranë në zonën jugore të Han Junisit dhe disa të tjerë në veri të Rripit të Gazës, përfshirë edhe në një ndërtesë që përdoret nga fraksioni palestinez, Xhihadi Islamik, u tha në deklaratën e ushtrisë izraelite.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – nisi më 7 tetor, pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit.

Gjatë sulmit të 7 tetorit, Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë.

Izraeli u kundërpërgjigj me ofensivë tokësore, detare dhe ajrore. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, nga sulmet izraelite janë vrarë mbi 24.000 palestinezë. Por, ky institucion nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, raporton REL.

Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë aftësitë qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit dhe do të lirojë pengjet e mbetura në Gazë.

/Shqip.com