Ushtaret ukrainase pajisen me uniforma të posaçme për gratë
Dyzet e dy mijë gra shërbejnë në ushtrinë ukrainase dhe siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Lesia Bakalets nga Kievi, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka miratuar së fundmi zyrtarisht një uniformë të re ushtarake për gratë.
Maria, një oficere e Forcave të Armatosura të Ukrainës, provon për herë të parë një uniformë të re ushtarake për gratë.
“Si nuk e kam parë këtë më herët? Kjo është e mrekullueshme”, thotë ajo.
Maria, e cila nuk pranoi ta zbulonte mbiemrin, thotë se këto janë palltoja dhe pantallonat më të rehatshme që ka veshur që nga fillimi i shërbimit ushtarak.
“Më pëlqen modeli. Pantallonat janë pikërisht në belin tim, jo më poshtë, jo më lart. Ato mund të ngushtohen sipas nevojës.”
Maria iu bashkua Forcave të Armatosura pas fillimit të sulmit të Rusisë në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ashtu si gratë e tjera në ushtrinë ukrainase, ajo thotë se ka veshur një uniformë për meshkujt.
“Është si ta marrësh një uniformë nga një vëlla më i madh. Ata na thanë që ta rregullojmë uniformën për t’u përshtatur me trupin. Edhe çizmet ishin të madhësive më të ndryshme, duke filluar nga numri 40, që për mua ishin të mëdha. Prita një kohë të gjatë për të marrë këpucë më të përshtatshme.”
Oficerja Olga Bighar foli me Zërin e Amerikës nga vija e parë e frontit.
“Ne jemi në rajonin e Bakhmutit, duke kryer detyra që lidhen me çlirimin e territorit të pushtuar”, tregon ajo. Ushtarja Olga Bighar thotë se pantallonat i rrinin aq keq, saqë shpesh zgjasnin vetëm për një mision.
“Ato mund të përdoreshin vetëm një herë, në një mision ushtarak. Pastaj duhej t’i qepja sërish.”
Tani Olga Bighar dhe Maria janë pajisur me uniforma ushtarake për gratë, falë vullnetarëve nga nisma ukrainase “Arm Women Now”.
“Ne mblodhëm modele të uniformave të grave nga ushtritë e tjera në mbarë botën. Ne përdorëm modelin standard të uniformave të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara. Gjithashtu, ne i kemi respektuar standardet e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës për uniformat e meshkujve”, thotë Iryna Nykorak nga nisma “Arm Women Now”.
Vullnetarët filluan të prodhonin uniforma të grave para rreth një viti. Gratë që shërbejnë në vijën e parë të frontit i marrin uniformat falas, të tjerat paguajnë një tarifë fikse.
Iryna Nykorak thotë se uniformat u testuan për siguri dhe komoditet në qendrat stërvitore.
“Një xhaketë e përshtatshme është thelbësore kur një grua që vesh një jelek antiplumb. Përndryshe, ka shumë shtresa nga pëlhura e tepërt. Në verë, kur temperatura është e lartë, kjo pëlhurë shtesë fërkohet me lëkurën.”
Në gusht, ministria e mbrojtjes e Ukrainës miratoi uniformat verore të grave, të cilat pritet të jenë gati për përdorim në fund të vitit.
“Uniforma është e ngjashme me uniformën tonë të përgjithshme ushtarake. Është projektuar për trupin e grave. Supe më të vogla, gjatësi pak më të shkurtër, mëngë më të ngushta dhe bel që mund të rregullohet”, thotë Tetiana Kucher, specialiste për pajisjet në Ushtrinë e Ukrainës.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës thotë se ka gjithsej 42000 femra në radhët e ushtrisë ukrainase, pesë mijë prej të cilave shërbejnë në zonat e luftimit.
/Shqip.com