Lajme

Urdhërarresti për Molliqajn, PSD thotë se Themelorja e lëshoi pa arsye

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar fletarrest ndaj kreut të Partisë Socialdemokrate pasi ka munguar në seancën e së mërkurës.

E ndaj kësaj çështje ka reaguar zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.

Ajo tha se urdhërarresti është lëshuar pa asnjë arsye nga Themelorja.

Kuçi tha se janë njoftuar nga mediat se Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndaj Molliqajt dhe ka njoftuar se ai nuk ka pranuar asnjë ftesë të rregullt nga kjo gjykatë.

“Gjykata dhe organet e policisë e kanë adresën e saktë të banimit të z. Molliqaj, atë të zyrës së tij të punës dhe të gjitha kontaktet e tij, mirëpo qartazi ata nuk i kanë përdorur ato dhe kanë lëshuar pa asnjë arsye këtë urdhërarrest”, ka shkruar Kuçi.

Ajo tha se Molliqaj do të vazhdojë agjendën e tij të përditshme të punës si çdo ditë tjetër.

Theksojmë se për shkak se Dardan Molliqaj kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe i akuzuari tjetër Fatos Sahiti kanë munguar në seancën e së mërkurës, ka dështuar sërish të nis gjykimi në rastin ku të njëjtit ngarkohen për përleshjen fizike mes tyre dhe deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi, pas një debati televiziv më 2019. Ndaj Molliqajt dhe Sahitit, gjykata ka lëshuar urdhërarrest.

Në seancë mungoi edhe i dëmtuari Haki Abazi, për të cilin gjykatësja e rastit Vlora Pacolli-Rexhepi tha se gjykata ka pranuar një parashtresë, përmes së cilës i njëjti ka njoftuar se është i angazhuar jashtë vendit.

Në seancë e pranishme ishte avokatja e Abazit, Sadije Mjekiqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Molliqaj, gjykatësja Pacolli-Rexhepi tha se gjykata më 1 qershor ka lëshuar urdhërarrest ndaj tij, i cili do të mbetet aktiv për një vit.

Në këto rrethana, seanca u shty në kohë të pacaktuar./Shqip.com