Lajme

UP dhe Komuna e Gjakovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e praktikës profesionale për studentët

Universiteti i Prishtinës dhe Komuna e Gjakovës kanë nënshkruar gjatë ditës së sotme marrëveshje bashkëpunimi.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

“Sot, nënshkruam marrëveshje bashkëpunimi me Rektorin e Universitetit të Prishtinës, Prof.Dr. Naser Sahiti. U pajtuam që të bashkëpunojmë në hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta, harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojat e tregut të punës, funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore dhe mbi të gjitha ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët”, ka shkruar Gjini.

Foto nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes midis UP-së dhe Komunës së Gjakovës

Komuna e Gjakovës është tejet e përkushtuar në thellimin e bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës, por edhe me institucionet e tjera edukativo-arsimore, për të shtyrë përpara projekte me interes të përbashkët, ka thënë më tutje Gjini.

Ndërsa lidhur më këtë marrëveshje, rektori Sahiti tha se ky është memorandumi i tretë që UP-ja po e arrin me komunat e Kosovës dhe se përmes marrëveshjeve të nënshkruara së fundmi, institucioni që ai udhëheq po punon edhe më tej për avancimin tutje të veprimtarive shërbyese ndaj komunitetit./Shqip.com