Lajme

UNMIK: Fati i personave të zhdukur duhet të zgjidhet në frymën e pajtimit, jo të politizohet

Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka bërë thirrje që të vazhdohen përpjekjet dhe përkushtimi për ta zbardhur fatin e viktimave të zhdukjeve të dhunshme.

Ajo ka kërkuar që autoritetet ta kenë prioritet këtë çështje në mënyrë që edhe t’i zbusin vuajtjet e familjeve.

“U bëj thirrje autoriteteve kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar, në mirëbesim, Deklaratën për personat e zhdukur, për të cilën u pajtuan në maj në kuadër të Dialogut të përkrahur nga BE-ja,” ka thënë Ziadehu.

“Zgjidhja e fatit të personave të zhdukur mund të kontribuojë në procesin më të gjerë të ndërtimit të besimit, pajtimit dhe ruajtjes së paqes. Mungesa e progresit mund të dëmtojë dialogun e vazhdueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.”

“Fati i viktimave të zhdukjeve me forcë duhet të zgjidhet në frymën e pajtimit, ndërtimit të besimit dhe respektimit të së drejtave të njeriut, dhe jo të politizohet,” tha PSSP Ziadeh.

/Shqip.com