UNICEF: Më shumë se gjysma e fëmijëve të Ukrainës janë shpërngulur
Drejtoresha rajonale për Fondin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët në Evropë dhe Azi Qendrore, Afshan Khan, tha se pushtimi rus ka detyruar një shumicë të madhe fëmijësh ukrainas të largohen nga shtëpitë e tyre.
Siç raporton CNN, Khan këtë e tha në një konferencë shtypi në New York.
“Gati dy të tretat e fëmijëve të Ukrainës janë shpërngulur- të shpërngulur brenda vendit apo kanë ikur përtej kufijve si refugjatë,” tha Afshan Khan.
“Fëmijët detyrohen të lënë shtëpitë, miqtë, lodrat dhe sendet e çmuara, anëtarët e familjes dhe që përballen me pasigurinë rreth së ardhmes.”
Khan, tha se sipas shifrave të OKB-së, 277 fëmijë janë vrarë dhe 456 janë plagosur gjatë rrjedhës së luftës.
Po ashtu ajo tha se luftimet kanë dëmtuar ose shkatërruar një në gjashtë shkolla të cilat janë të mbështetura nga UNICEF-i në Ukrainën lindore.
Qeveria ukrainase citon një shifër edhe më të lartë: Prokurori i Përgjithshëm thotë se 313 fëmijë janë vrarë dhe 579 janë plagosur.
“Siç tregojnë këta numra, lufta në Ukrainë është një krizë e të drejtave të fëmijëve dhe UNICEF po punon për të mbështetur fëmijët dhe familjet kudo që janë në vend”, tha Khan.
Ajo tha se sulmet ndaj zonave të populluara dhe infrastrukturës civile qartazi duhet të ndalen.
UNICEF-i, vazhdon të bëjë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë dhe për të mbrojtur të gjithë fëmijët nga dëmi./Shqip.com