Ulen tarifat “Roaming” me BE-në/ Rama “mburret”: Falë marrëveshjes që u firmos në Tiranë!
Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur reduktimin e tarifave “Roaming”, mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në një postim në llogarinë e tij në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare thekson se tarifat u ulën mesatarisht deri në 99%.
Por më tepër se kjo, shefi i ekzekutivit nuk harron të theksojë se ky moment i rëndësishëm erdhi falë marrëveshjes që u firmos në Tiranë gjatë samitit të dhjetorit të vitit të kaluar, BE-Ballkani Perëndimor.
“Mirëmëngjes dhe me lajmin e mirë se prej 1 tetorit, çmimet e “Internetit Roaming” mes Europës dhe Ballkanit Perëndimor janë ulur mesatarisht deri 99%, të konkretizuar pas firmosjes së marrëveshjes në samitin historik të dhjetorit në Tiranë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Sa ulen tarifat “Roaming”
Tarifat e reja të shërbimit Roaming në Ballkanin Perëndimor kanë hyrë zyrtarisht në fuqi prej datës 1 Tetor 2023. Kufiri i çmimit për 1 GB Roaming në kuadër të ofertave dhe paketave speciale, nuk duhet t’i kalojë 18 euro, duke e bërë kështu udhëtimin dhe komunikimin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor më ekonomik.
Në shumë raste, kufiri i çmimit prej 18 euro brenda ofertave dhe paketave speciale shkon edhe shumë pak, deri në 1.6 euro për 1 GB. Por kompanitë celulare që operojnë në Shqipëri do të duhet që paraprakisht të kenë marrëveshje me operatorët e telekomunikacionit të BE-së për tarifat e reja.
Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal njoftoi një ditë më parë se “prej sot do të flasim më lirë me Bashkimin Evropian“. Ajo thotë se “qytetarët e vendit tonë do të përfitojnë ulje deri në 95%““, shkruan Bregu.
Marrëveshja gjatë Samitit të Tiranës
Marrëveshja u arrit në Samitin e BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt më 6 dhjetor 2022 në Tiranë. Gjatë këtij Samiti, operatorët e telekomunikacionit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dolën në një deklaratë të përbashkët, e cila do të bënte të mundur uljen e parë të kostove të roaming-ut midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në vitin 2023, me synimin për t’i hequr ato plotësisht më pas.
/Shqip.com