Lajme

Ukraina thotë se ushtria ruse ka shënuar sukses në Bahmut

Zyrtarë ushtarakë të Ukrainës kanë thënë se forcat ruse kanë shënuar “një shkallë suksesi” në qytetin e vijës së frontit në lindje të Ukrainës, Bahmut.

Ata shtuan se ushtarët ukrainas po vazhdojnë ende betejën disamujore, në të cilën të dyja palët kanë pësuar një numër të madh viktimash.

Në pjesën jugore të Ukrainës, shefi i mbikëqyrjes bërthamore të Kombeve të Bashkuara tha se kishte një rritje të konsiderueshme të numrit të trupave në rajonin e centralit bërthamor Zaporizhja, të pushtuar nga Rusia, dhe se ky central nuk mund të mbrohet më.

Qyteti i Bahmutit dhe qytetet përreth të rajonit industrial lindor të Donjeckut kanë qenë caku qendror i sulmeve gjatë 13 muajve që kur ka nisur lufta në Ukrainë.

“Forcat armike patën një shkallë suksesi në aksionet e tyre që mësynin qytetin e Bahmutit”, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në një raport të publikuar më 29 mars.

Sipas raportimeve nga ushtria ukrainase, numri mesatar i sulmeve ditore ruse në vijën e frontit ka rënë në katër javët që nga fillimi i marsit.

Në shtatë ditët e fundit janë raportuar 69 sulme, krahasuar me 124 gjatës javës 1-7 mars. Vetëm 57 sulme u raportuan të mërkurën.

Zyrtarët rusë thonë se forcat e tyre janë ende duke kapur terren në luftimet në rrugët brenda qytetit të Bahmutit, raporton REL.

/Shqip.com