Lajme

Ukraina thotë se ‘goditja më e madhe’ nuk ka ardhur ende

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, ka thënë se “goditja më e madhe” në fushatën kundërofensive të Kievit kundër forcave ruse nuk ka ardhur ende, por pranoi se operacioni është i vështirë pasi Moska “po hedh” gjithçka mundet në betejë për të parandaluar Ukrainën të ecë përpara.

Ndryshe, Ukraina filloi fazën e parë të kundërofensivës së saj të përfolur prej kohësh dy javë më parë për të rimarrë tokën e pushtuar nga forcat ruse.

Por mes raporteve për përparim të ngadalshëm nga forcat e Ukrainës dhe rezistencës së ashpër nga Rusia, zyrtarët në Moskë kanë pohuar se ofensiva ukrainase ka dështuar.

Ushtria ukrainase, e cila ka mbajtur një heshtje të rreptë për fushatën në përgjithësi, njoftoi të hënën se ishin arritur fitore të vogla dhe tetë fshatra të çliruar deri më tani, së bashku me rreth 113 km katrorë të territorit.

Por “goditja më e madhe nuk ka ardhur ende”, citohet të ketë thënë Maliar të hënën.

/Shqip.com