Lajme

Ukraina heton vjedhjen e 40 milionë dollarëve që do të përdoreshin për të blerë armë

Punonjësit e një firme ukrainase të armëve bashkëpunuan me zyrtarë të ministrisë së mbrojtjes për të përvetësuar pothuajse 40 milionë dollarë të caktuara për të blerë 100,000 predha mortajash për luftën me Rusinë, njoftoi shërbimi i sigurisë i Ukrainës.

Kievi tha vonë të shtunën se janë ngritur akuza ndaj pesë individëve dhe një tjetër u arrestua teksa përpiqej të kalonte kufirin ukrainas. Nëse gjenden fajtorë, ata përballen me 12 vjet burg.

Hetimi vjen ndërsa Kievi përpiqet ta godasë korrupsionin në një përpjekje për të përshpejtuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO. Zyrtarët nga të dy blloqet kanë kërkuar reforma të thella kundër korrupsionit përpara se Kievi në bëhet pjesë e komunitetit euroatlantik.

Zoti Volodymyr Zelenskyy u zgjodh president i Ukrainës në vitin 2019 pasi bëri një fushatë kundër korrupsionit, përpara se Rusia të fillonte agresioni në shkallë të gjerë në shkurt të vitit 2022.

Si presidenti ashtu edhe ndihmësit e tij i kanë cilësuar shkarkimet e fundit të zyrtarëve të lartë, veçanërisht atë të Ivan Bakanov, ish-kreu i Shërbimit të Sigurisë Shtetërore, në korrik 2022, si provë e përpjekjeve për të goditur korrupsionin.

Zyrtarët e sigurisë thonë se hetimi aktual daton në gusht 2022, kur zyrtarët nënshkruan një kontratë për predha artilerie me vlerë 1.5 miliardë hryvnia (39.6 milionë dollarë) me firmën e armëve Lviv Arsenal.

Pas marrjes së pagesës, punonjësit e kompanisë duhej t’i transferonin fondet në një biznes të regjistruar jashtë vendit, i cili më pas do t’i dërgonte municionet në Ukrainë.

Megjithatë, predhat nuk u dërguan dhe paratë u transferuan në llogari të ndryshme në Ukrainë dhe Ballkan, thanë hetuesit. Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës thotë se fondet janë sekuestruar dhe do të kthehen në buxhetin e mbrojtjes së vendit. /VOA

/Shqip.com