Lajme

Ugljanin: Sot nis rrjedhja e afatit 30 ditor për organizimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, ka konfirmuar se sot ka filluar rrjedhja e afatit 30 ditor për organizimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit të Komunës pasi është njoftuar nga iniciuesit e peticionit dhe të njëjtëve ua ka dorëzuar formatet, pas dritës së gjelbër që ka marrë nga Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal.

“Në konsultime me MAPL, sot e kam marrë njoftimin, ata janë të regjistruar, i kam marrë formatet, për nismën e procedurës, dhe nisma e procedurës është njoftimi i Kryesuesit të Kuvendit Komunal për nismën e peticionit dhe objekti ku do të mbahet peticionit. Prej sot fillon afati prej 30 ditësh”, ka thënë Ugljanin për Gazetën Express

Ugljanin ka konfirmuar se sot e kanë mbajtur takimin me iniciuesit e peticionit dhe se të njëjtit i kanë marrë letrat. Ai madje ka konfirmuar se e kanë nënshkruar edhe një letër për takimin qe e kanë mbajtur sot në 15:30, dokument i cili do t’i jepet edhe MAPL-së.

“Ata janë kanë më kanë njoftuar. I kanë marrë letrat. Edhe një letër e kanë nënshkruar, që u mbajt takimi në 15:30 që i kanë kryer obligimet si iniciues për peticion, janë nënshkruar,  ku jam nënshkruar edhe unë. Dokumenti është te unë dhe do të dorëzohet në MAPL, dhe procedura mundet me ia nisë”, ka sqaruar ai për Gazetën Express.

Ugljanin ka konfirmuar se brenda 30 ditësh duhet organizuar peticioni bazuar në Udhëzimin e MAPL-së.

/Shqip.com