Sport Shqiptar

UEFA dënon FSHF-në me mbi 21 mijë euro

Ndeshja eliminatore kundër Moldavisë në “Arenën Kombëtare” nuk ka kaluar pa dëme për arkën e FSHF-së për shkak të trazirave të shkaktuara nga tifozët në shkallët e stadiumit.

Ka qenë Federata Shqiptare e Futbollit që ka njoftuar se Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA, ka vendosur të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me shumën prej 21,250 euro për shkak të incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes kualifikuese të Euro 2024, Shqipëri-Moldavi, e luajtur në stadiumin “Air Albania” më 17 qershor 2023.

“Penalizimi financiar ka ardhur nga problematika e shkaktuar nga grupimi i tifozëve “Tirona Fanatics”, që ndezën flakadanë gjatë ndeshjes, duke shkaktuar kështu trazira dhe situata krejtësisht të evitueshme. FSHF gjen rastin t’u bëjë apel të gjitha grupimeve dhe tifozëve shqiptarë që të jenë më të përgjegjshëm dhe të shmangin krijimin e incidenteve që mund të sjellin penalitete financiare dhe jo vetëm për Kombëtaren dhe futbollin shqiptar”, thuhet në njoftim.

Njëkohësisht, FSHF ka ftuar të gjithë tifozët dhe futboll-dashësit të mbështesin Kombëtaren, duke treguar qytetari dhe përgjegjshmëri përmes një sjellje korrekte e duke respektuar rregullat dhe kundërshtarët.

/Shqip.com