Lajme

U vazhdohet paraburgimi pesë të dyshuarve për rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë

Gjykata Supreme

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj pesë të dyshuarve për dhunimin e 11-vjeçare në Prishtinë.

Këtë bëri të ditur  për SHQIP.com zëdhënëse për media në gjykatë, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve E.R dhe SH.K,  Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 26.09.2022 ju ka vazhduar masën e paraburgimit të njëjtëve edhe për dy muaj, për secilin veç e veç”.

“Po ashtu lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur me datë 23.09.2022 ju ka vazhduar masën e paraburgimit tre të miturve edhe për dy muaj, për secilin veç e veç”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, fillimisht për rastin e 11-vjecarës janë arrestuar 5 persona.

Disa ditë më vonë, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte njoftuar për ndalimin e 6 personave tjerë nën dyshimin se 11-vjeçarja ishte trafikuar edhe në muajin qershor të këtij viti.

Për rastin në fjalë u arrestua edhe një tjetër person, duke e çuar në 12 numrin e personave të dyshuar për dhunimin e të miturës, në dy raste të ndara./SHQIP.com