Lajme

U qëllua nga vrasësit me pagesë/ Zbardhet vrasja e ish-drejtorit të tensionit të lartë për Veriun

Policia e Lezhës

Policia e Lezhës ka zbardhur vrasjen e ish-drejtorit të tensionit të larta për zonën e Veriut, Saimir Jaku në shtator të vitit 2016 në Mirëditë.

Në një konferencë për mediat drejtori i Policisë Lezhë, Vehbi Bushati tha se ekzekutimi i Jakut dyshohet se është kryer nga vrasës me pagesë.

Ekzekutori është shtetasi, Dorian Keqi 40 vjeç, lindur në Kurbin dhe banues në Krujë.

“Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se e ka kryer krimin e vrasjes së shtetasit Saimir Jaku, kundrejt pagesës. Porositësit e vrasjes dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun Lezhë, tashmë të identifikuar dhe nën hetim nga ana e Policisë”.

“Për shkak të cilësisë së hetimit dhe të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk mund të bëjmë publike të dhëna të tjera për këtë çështje”, tha drejtori i policisë së Lezhës.

Sic raporton TCH, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit të ndaluar Doris Keqi në kuadër të operacionit policor “GJURMA”, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 21 aparate celulare dhe 6 mbajtëse të kartave SIM.

Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë e ligjor të kësaj ngjarjeje.

Por si ndodhi ngjarja gjashtë vite më parë?

Vrasja u shënua në një lokal në qendër të qytetit të Rrëshenit, pak metra larg komisariatit, ku viktima, Saimir Jaku kishte shkuar të pinte një kafe. Autorët e maskuar sipas dëshmitarëve okularë, kanë qenë dy persona të armatosur, ku njëri prej tyre ka dalë nga automjeti tip Benz dhe ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të Saimir Jakut.

 Ky i fundit ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga plumbat të cilët i kanë përshkuar disa pjesë të trupit. Në atë ngjarje ka mbetur I plagosur edhe shtetasi Gjergj Prenga 50-vjeç nga Rrësheni i cili në momentin e ngjarjes ka qenë duke pire kafe me viktimën./SHQIP.com