Lajme

U përfol se iu rrezikua pozita Osmanit – shefi i kabinetit të presidentes: Skenare të Serbisë

Blerim Vela dhe Vjosa Osmani.

Gjatë ditës së djeshme doli në shumë media se presidentes së Kosovës është duke iu rrezikuar pozita për shkak të pretendimeve për shkelje kushtetuese.

Kurse, sot përmes një postimi në Twitter, Shefi i Kabinetit të Presidentes, Blerim Vela ka thënë se raportimet në media janë propagandë e luftës speciale të përgatitura sipas skemave të Beogradit.

“Pretendimet se gjoja Gjykata Kushtetuese do ta “rrëzojë” Presidenten, është synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik. GjK është institucion i pavarur, e cila ka detyrim të qartë ligjor për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes gjyqësore. E kemi plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propaganda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre të cilët ndodhen në listën e zezë të ShBA-ve“, shkroi Vela.

Vela thotë se skenarët për të shkaktuar krizë institucionale në Kosovë janë të Serbisë.

“Çfarëdo skenari eventual për të shkaktuar kriza institucionale në Kosovë dhe për ta nxjerrë nga binarët procesin e dialogut (në veçanti për ta parandaluar zbatimin e nenit 4, të marrëveshjes), është vetëm skenar i vetë Serbisë“.

Tutje, Vela tha se kjo është përpjekje për ndikim të vendimmarrjes gjyqësore dhe tentim puç ndaj institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, dhe si e tillë do të dështojë.

/Shqip.com