Lajme Ballkan

U largua nga Shqipëria në vitin 1997, tashmë synon Parlamentin Italian

Anita Likmeta është një vajzë nga qyteti i Durrësit e cila u largua nga Shqipëria në drejtim të Italisë në vitin 1997.

Tashmë ajo po synon të marrë një vend në Parlamentin e Italisë.

Por kush është Anita Likmeta dhe si arriti të bëhet pjesë e politikës së vendit fqinj?

Ajo jeton në Itali prej moshës 11-vjeçare. E diplomuar në Universitetin “La Sapienza” në Romë, ajo punoi si gazetare për “Huffington Post Itali”. Emri i saj spikat edhe për faktin se sipërmarrësja shqiptare në Itali, anëtare e Konfindustrisë italiane është përzgjedhur po ashtu si një nga 150 zonjat më të fuqishme në Itali, në një renditje për gratë më të famshme nga fusha të ndryshme.

Në zgjedhjet e 25 shtatorit, Anita synon të sigurojë një vend në parlamentin me 945 deputetë, në të dyja dhomat e saj, ndërsa në legjislaturën e ardhshme, do reduktohen në 600.

Anita në A2 CNN ka folur për detajet e fushatës së saj dhe pritshmërinë drejt 25 shtatorit.

““Kjo është një fitore për një shqiptar. Në fund fare, komuniteti shqiptar nuk ka pasur kurrë një përfaqësues. Duhet të presim për të folur për rezultatet, është shumë herët tani, por fushata shkon shumë mirë. Është një luftë. Po flas me komunitetin shqiptar në Itali. Ne jemi një komunitet i madh. Jemi komuniteti i dytë më i madh në Itali. Shqiptarët meritojnë të kenë një zë që flet për ata”, është shprehur Anita.

Ajo ka shtuar se ka kaluar për 15 vite nëpër dyert e institucioneve të shtetit të Italisë për të marrë lejen e qëndrimit.

“Unë kam kaluar 15 vite në dyert e institucioneve italiane për lejen e qëndrimit. Shqiptarët janë pranë meje, pasi kanë kaluar të njëjtën gjë. Mua më pëlqejnë betejat dhe do t’ia dalim mbanë. Kjo është beteja e italianëve. Janë ata që nuk kanë të ardhme për fëmijët e tyre. Kjo është betejë për shqiptarët, sepse është e nevojshme që edhe ne të kemi një përfaqësim për institucionet italiane. Por emigrantët dinë të mbijetojnë. Kështu, kjo është beteja më e madhe për italianët”, u shpreh Likmeta.

Zgjedhjet në Itali pritet të mbahen me 25 shtator./Shqip.com