Lajme

U kapën duke transportuar 3 shtetas afganë, arrestohen dy persona në Vlorë

Dy persona janë arrestuar mbrëmjen e djeshme në Vlorë, pasi po transportonin tre shtetas afganë në automjet kundrejt pagesës. 

Policia ka bërë të ditur se, në aksin rrugor Kuç-Vlorë, shërbimet e Policisë të DVP Vlorë kanë ndaluar automjetin që drejtohej nga shtetasi M. M., me pasagjerë shtetasin M. S. dhe 3 shtetas afganë.

Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi M. M. dhe shtetasi M. S. po transportonin 3 shtetasit afganë, kundrejt pagesës, me qëllim që t’i ndihmonin ata për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M. M., 26 vjeç, banues në Vlorë dhe M. S., 28 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim, raporton TCh.

Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 aparate celulare dhe një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/Shqip.com