Lajme Botë

Turqia nis sulmet ajrore mbi Sirinë veriore

Turqia nisi sulmet ajrore mbi disa qytete në veri të Sirisë të shtunën, njoftuan forcat kurde të mbështetura nga SHBA.

Sulmet ajrore ndodhën një javë pasi një bombë tronditi një rrugë të zhurmshme në Stamboll duke vrarë gjashtë persona dhe duke plagosur mbi 80 të tjerë.

Autoritetet turke fajësuan për sulmin Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, si dhe grupet kurde siriane të lidhura me të. Megjithatë, grupet militante kurde kanë mohuar përfshirjen.

Ankaraja dhe Uashingtoni e konsiderojnë PKK-në një grup terrorist, por nuk pajtohen për statusin e grupeve kurde siriane, të cilat kanë qenë aleate me SHBA-në në luftën kundër grupit të Shtetit Islamik në Siri.

Mediat e opozitës siriane raportuan se sulmet ajrore turke kishin në shënjestër pozicionet e Forcave Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët, raporton Ekathimerini.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani, një vëzhgues i luftës i opozitës, raportoi se sulmet kishin goditur gjithashtu pozicionet e ushtrisë siriane dhe se të paktën 12 ishin vrarë, duke përfshirë edhe ushtarët e SDF-së dhe të ushtrisë siriane.

Observatori tha se rreth 25 sulme ajrore u kryen nga avionët luftarakë turq në zonat në fshatrat e Alepos, Raqqa dhe Hasakah.

Turqia ka nisur tre operacione të mëdha ndërkufitare në Siri që nga viti 2016 dhe tashmë kontrollon disa territore në veri.

/Shqip.com