Lajme

Gati për automjetet në 1 Qershor 2024 – Tuneli i Llogarasë i hapur i gjithi, Rama publikon fotot

Tuneli i Llogarasë është hapur i gjithi, dhe tashmë po bëhet betonimi final që ka arritur në 70% të të gjithë gjatësisë së tunelit.

Në fotot e publikuara kryeministri Edi Rama, bën të ditur se është hapur tuneli i emergjencës në të cilin po punohet me elementet e sigurisë.

“Mirëmëngjes dhe nga tuneli kryesor i Llogarasë, tani i hapur i gjithi e ku po bëhet betonimi final që ka arritur në 70% të të gjithë gjatësisë së tunelit, dhe ku është hapur tuneli i emergjencës në të cilin po punohet me elementet e sigurisë, ju uroj një ditë të mbarë!”, shkruan Rama.

Nisur nga ecuria e punimeve deri më tani, pritet që vepra më madhore infrastrukturore në jug të vendit të hapet për qarkullimin e automjeteve në 1 Qershor të vitit të ardhshëm. Kushdo që do të frekuentojë jugun e Shqipërisë për të kaluar sezonin turistik, tashmë nuk do t’i duhet të ngjisë dhe zbresë Llogaranë, por përmes tunelit nga Dukati do të dalë në Palasë. Koha e kursyer do të jetë nga 1 orë që është aktualisht në vetëm disa minuta.

Tuneli i Llogarasë ka një gjatësi prej 6 km. Tuneli kryesor është 7.70 m i gjerë dhe 4.70 m i lartë. Brenda tunelit do të ketë edhe hapësirë prej 1.7 m e cila do të shërbejë si trotuar përgjatë gjithë gjatësisë së tij. Tuneli do të jetë i pajisur me sisteme ajrimi si dhe me një sistem kullimi të urave nëntokësore dhe atyre sipërfaqësore. Përgjatë tunelit të trafikut ka 11 kalime lidhëse tërthore me tunelin e emergjencës, 5 janë për automjetit dhe 6 për këmbësorët.

/Shqip.com