Lajme Ballkan

Trupat e viktimave nga aksidenti në Bullgari dërgohen në Shkup javën e ardhshme

Foto nga aksidenti tragjik në Bullgari

Trupat e 45 viktimave nga aksidenti i ndodhur në Bullgari më 23 nëntor, do të transportohen në Shkup gjatë javës së ardhshme, transmeton Shqip.com.

Ky transportim i trupave do të bëhet pasi prokuroria e Maqedonisë së Veriut ia dorëzoi Prokurorisë së Bullgarisë të gjitha provat, përfshirë analizat e ADN-së nga familjarët e të ndjerëve, derisa identifikimi pritet të kryhet sa më shpejt në Bullgari, raporton ‘Alsat-M’.

Ministri i Punëve të Jashtme, i cili është në komunikim me MPJ-në bullgare, nuk ka mundur të saktësojë se në cilën ditë do të transportohen trupat në Maqedoni të Veriut.

“Është paralajmëruar një javë pas aksidentit, por ka projeksione të ndryshme, që mund të jetë një ditë më vonë, deri në fund të javës. Pra, nuk mund ta dimë me siguri, sepse gjithçka do të varet nga mënyra se si zhvillohet procesi i identifikimit të ADN-së në laborator”, ka thënë kryediplomati, Bujar Osmani.

Një ditë më parë në këtë vend kanë mbërritur dy nga shtatë pacientët e mbijetuar që janë vendosur në repartin e kirurgjisë plastike.

Siç bën të ditur drejtoresha e klinikës, Sofija Pejkova, të dy janë në gjendje stabile.

Të hënën edhe tre pacientë nga Sofja do të transportohen në Shkup për kurim të mëtutjeshëm.

Të gjithë pacientët që i mbijetuan aksidentit të tmerrshëm do të shtrohen në klinikën e kirurgjisë plastike kurse një në traumatologji.

Aksidenti fatal ndodhi mëngjesin e 23 nëntorit, kur 45 persona humbën jetën në autostradën Struma në Bullgari. /Shqip.com