Lajme

Trump: Marrëveshja e Uashingtonit është historike, nuk duhet të braktiset

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donand Trump, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, me ndërmjetësimin e administratës së tij, është historike dhe se nuk duhet të braktiset.

Sipas tij, popujt e këtyre dy shteteve kanë kapërcyer pengesa të mëdha në ndjekjen për normalizim ekonomik.

“Marrëveshjet që administrata ime i ndërmjetësoi janë historike dhe nuk duhen braktisur, janë në pyetje shumë jetë. Rajoni është tepër i rëndësishëm dhe popujt kanë pritur kohë shumë të gjatë që krejt kjo punë të hidhet mënjanë”, thuhet në deklaratën e Trumpit.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump

Ndërsa, lidhur me vizitën e të dërguarit të tij për dialogun Kosovë-Serbi, në kufirin mes këtyre dy shteteve, ka thënë se është bërë për të nxjerrë në pah marrëveshjen “e rëndësishme” të Uashingtonit.

“Njëjtë sikurse kemi dëshmuar në Lindjen e Mesme me Marrëveshjet Abraham, paqja dhe normalizimi ekonomik janë të mundur, por nevojitet përpjekje e sinqertë dhe udhëheqje e palëkundur”.

“Paqja është e mundur, mos u dorëzoni – në pyetje është prosperiteti afatgjatë i këtyre dy kombeve!” thuhet në komunikatën e Trumpit, të lëshuar nga zëdhënësi i tij”, thuhet më tej në deklaratën e ish-presidentit amerikan.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump.

Dy versione të dokumenteve për palën e Kosovës dhe atë të Serbisë, i kanë nënshkruar kryeministri i atëhershëm i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq./SHQIP.com