Lajme Botë

Tri OJQ ndërkombëtare ndalojnë punën në Afganistan

Tri organizata të mëdha joqeveritare kanë ndaluar punën e tyre në Afganistan

Arsyeja e ndaljes së punës së tyre është për shkak se talibanët iu kanë ndaluar grave të punojnë e nga ky vendim janë prekur edhe organizatat të cilat kanë pasur të punësuara shumë gra.

Në një deklaratë të përbashkët, Care International, Këshilli Norvegjez i Refugjatëve (NRC) dhe Save the Children thanë se nuk do të jenë në gjendje të vazhdojnë punën e tyre pa pjesëtarët e tyre të stafit të gjinisë femërore.

“Ndërsa fitojmë qartësi në këtë njoftim, ne po pezullojmë programet tona, duke kërkuar që burrat dhe gratë të mund të vazhdojnë në mënyrë të barabartë ndihmën tonë jetëshpëtuese në Afganistan”, thuhet në deklaratën e këtyre organizatave.

Ramiz Alakbarov, koordinatori më i lartë humanitar i Kombeve të Bashkuara, tha se OKB po përpiqej të të largonte ndalimin dhe se kjo ishte një “vijë e kuqe për të gjithë komunitetin humanitar”.

Por, Alakbarov tha se ishte ende e paqartë se çfarë nënkuptonin talebanët me dekretin e tyre.

Jan Egeland i NRC tha se rreth 500 nga 1400 punëtorët e grupit të ndihmës qenë gra dhe se personeli femër kishte funksionuar “sipas të gjitha vlerave tradicionale, kodit të veshjes, lëvizjes dhe ndarjes së zyrave”.

Ai tha se shpresonte se vendimi do të anulohej në disa ditët e ardhshme dhe paralajmëroi se miliona persona do të vuanin në qoftë se puna e OJQ-ve do të pengohej.

Ndalimi i punës së grave në OJQ shkaktoi zemërim ndërkombëtar duke përfshirë edhe sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, raporton BBC.

Blinken tha se ky veprim do ta prishte ndihmën jetike dhe shpëtuese të shumë miliona njerëzve që jetojnë në Afganistan.

Dekreti i fundit mbi OJQ-të erdhi vetëm disa ditë pasi talebanët ndaluan gratë që të vazhdojnë arsimin universitar.

Abdel Rahman Habib, zëdhënës i ministrisë së ekonomisë së talibanëve, pretendoi se punëtorët femra në grupet e ndihmës së huaj kishin thyer kodet e veshjes duke mos veshur hixhabe.

Talebanët kërcënuan të anulojnë licencën e çdo organizate që nuk përputhej me rregullat e vendosura nga vetë ata

Që nga marrja e kontrollit të vendit vitin e kaluar, talebanët i kanë kufizuar vazhdimisht të drejtat e grave – pavarësisht se premtojnë se sundimi i tyre do të ishte më i butë se regjimi i parë në vitet 1990.

Gratë janë penguar gjithashtu nga hyrja në parqe dhe palestra, midis vendeve të tjera publike.

/Shqip.com