Kulturë

Tri ekspozita që mund ti vizitoni në vikend

Lokacionet e kulturës në Prishtinë, po ekspozojnë artin në vikend.

Ndër vendet që mund të vizitohen gjatë fundjavës, janë Galeria Kombëtare e Kosovës, Galeria e Ministrisë së Kulturës, si dhe Muzeu i Burgut të Prishtinës.

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës është e hapur ekspozita “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne” e artistit Jeton Gusia kuruar nga Blerta Hoçia.

Vizitori do ta gjejë veten të zhytur në thellësitë e tuneleve brenda të cilave vallëzon një ritëm primordial, ai i pavetëdijes kolektive, ku herë pas here fragmente imazhesh arketipike si idile të pikturuara të përditshmërisë rilindin, duke u shfaqur me thjeshtësinë e jetës së jetuar.

Kurse, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës është e hapur ekspozita “Monumenti i Lules së Parë”, nga Astrit Ismaili, kuruar nga Donjetë Murati.

“Monumenti i Lules së Parë” prezanton punët e Astrit Ismailit që ndërlidhën me transformimin.

Monumenti i luleve, kthehet në metaforë, njëjtë si udha e saj në mes të errësirës së thellë. Kur mund të përcaktojmë një moment të caktuar transformimi?

Gjithashtu, në Muzeun e Burgut të Prishtinës gjatë ditës së shtunë është ekspozita “Burgu i Idealit”, e cila sjell tekste historike, fotografi, ilustrime, video materiale e intervista me rrëfime, krijimtari artistike të burgut si piktura e vjersha nga ish të burgosurit, emrat e mbi 9000 të ish të burgosurve politik shqiptarë në këtë dhe burgje të tjera të Kosovës.

/Shqip.com