Lajme

Tri doza të vaksinës anti-COVID-19 për të hyrë në Kosovë, Haradinaj: Mjaft me vendime skandaloze

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës.

Vendimi i Qeverisë për të mos lejuar asnjë person të hyjë brenda territorit të Kosovës pa qenë i vakzinuar me tri dozat e vaksinës kundër Coronavirusit, po i duket “skandaloz dhe naiv”, zyrtarit të lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj.

Ish-gjenerali i UÇK-së tha se ka besuar se kufiri me Shqipërinë do të hiqet tërësisht.

“E pashë vendimin per mbylljen e kufirit me Shqipëri me kushtin e kalimit me 3 vaksina. Skandaloze! Personalisht kam pritur që kontrollat në kufi me shtetin amë do hiqen tërësisht nga ky janar e në asnjë mënyrë vështirësime e mbyllje, proklamuat që na “hoqet” kufirin para pak muajsh. Çka tash?”, shkruan Haradinaj.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

Më tej ai ka kërkuar nga Qeveria t’i trajtojë barabartë të gjithë shqiptarët kudo që banojnë.

“E me Maqedoninë e Veriut cfarë patët? Maqedonët nuk është që na vizitojnë edhe aq shpesh! Nga Maqedonia janë motrat dhe vëllezërit tanë që jetojnë dhe punojnë në të dy shtetet. Kufinjtë nuk hiqen me “zgërdhirje” e as me filozofi! Trajtoni shqiptarët në të dy anët me dinjitet, mjaftë me vendime naive”, ka shkruar, Haradinaj.

Qeveria e Kosovës nëpërmjet një mbledhjeje elektronike ka miratuar masa të reja të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Në kuadër të masave të reja, çdo person i cili hyn në Kosovë duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit me tri doza, ose edhe me dy doza, por me një test PCR negativ të 48 orëve të fundit.

Nga kjo kërkesë lirohen ata që hyjnë transit, diplomatët e huaj, fëmijët nën 12-vjeç, e ata që kanë dëshmi mjekësore se janë të liruar nga vaksinimi. Përjashtim bëjnë edhe shtetasit e Kosovës që s’kanë dy doza të vaksinës, por ata duhet të karantinohen në shtëpi për shtatë ditë.

Të gjithë punonjësve të institucioneve publike do t’u kërkohet certifikata me të paktën dy doza të vaksinës.

Masat e miratuara kanë hyrë në fuqi nga 22 janari, ndërsa do të vlejnë deri më 4 shkurt 2022./Shqip.com