Lajme Botë

Tre persona humbin jetën nga përmbytjet në Zelandën e Re

Si pasojë e motit të keq në Zelandën e Re tre persona kanë humbur jetën dhe një është zhdukur nga shirat e rrëmbyeshëm që kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Auckland, njoftoi kryeministri i vendit Chris Hipkins.

“Përmbytjet kanë shkaktuar vdekjen e tre personave, ndërsa një tjetër është zhdukur, niveli i dëmeve në disa zona është i rëndë”, tha Hipkins në një konferencë shtypi.

Sipas Hipkins, qyteti përjetoi dje, të premten, si ditën me shumë reshje të regjistruar ndonjëher.

Policia tha se dy persona u gjetën të vdekur në periferinë veriore të Auckland dhe një person tjetër vdiq në një rrëshqitje dheu pranë qendrës së qytetit.

Ndërsa për një burrë që u përfshi nga ujërat në vend ende nuk ka informacione.

Aeroporti lokal, më i madhi në vend, i cili ishte mbyllur përkohësisht, rifilloi pjesërisht punën sot. Terminali i brendshëm është sërish i aksesueshëm, por fluturimet ndërkombëtare pritet të rifillojnë nesër, raportojnë mediat e huaja.

Për arsye sigurie, koncertet e yllit britanik të popit Elton John të planifikuara për t’u mbajtur në një stadium të Auckland të premten dhe të shtunën janë anuluar.

Ka një tërheqje të ujërave sot, por priten sërish shira të dendur dhe kryeministri u ka kërkuar njerëzve të qëndrojnë në shtëpi.

Është ngjarja e parë e madhe me të cilën përballet qeveria Hipkins, ku të mërkurën zëvendësoi Jacinda Ardern, e cila dha dorëheqjen. Kryeministri i ri i Zelandës së Re konfirmoi në një mesazh në Twitter se agjencitë qeveritare po “punojnë intensivisht” për të ofruar ndihmë për qytetin dhe për të koordinuar veprimet e ekipeve të shpëtimit.

/Shqip.com