Lajme

“Tre muaj trajtim më kushtuan mbi dy mijë euro” – Të prekurat me kancer të gjirit rrëfejnë sfidat me sëmundjen

Ilustrim

Ishte muaji shtator i vitit 2020 kur jeta e saj mori kahje tjetër.

Xhevrija, 52-vjeçare nga Klina, kuptoi se në gjirin e saj kishte një gjëndër.

Në një vizitë mjekësore, ajo bëri biopsinë, rezultatet e së cilës i mori tri ditë më vonë.

Rezultati kishte negativ. Ajo kishte kancer në gji.

“Atë ditë kur e kuptova për sëmundjen, nuk jam ndjerë mirë, por kisha besim se do të ia dal”, thotë ajo për Shqip.com.

Fillimisht siç tregon 52-vjeçarja, ishte operuar në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për largimin e gjëndrës.

Ndërsa, pas 1 muaji e gjysmë kishte filluar trajtimin me kimio-terapi.

Ajo thotë se tetë kimio-terapi ka marrë gjithsej – për dy prej të cilave është dashur të paguajë nga 200 euro, pasi mjekët i kishin thënë se ka mungesë të tyre.

“Ato më lodhnin shumë. Nuk mund të haja e as të pija. Flokët filluan të binin, por isha e fortë dhe nuk mërzitesha. Edhe trajtimi nga ana e mjekëve ishte shumë i mirë, si në operim po ashtu edhe në terapi”.

Pas përfundimit të kimio-terapive, Xhevrija thotë se është dashur të presë për më shumë se dy muaj që të vazhdojë me rrezatime, pasi mjekët i kishin thënë se “aparati nuk po punon”.

Aktualisht ajo bën kontrolle të vazhdueshme pasi të gjitha trajtimet i ka përfunduar.

Me sëmundjen e njëjtë si Xhevrija aktualisht është duke u përballur edhe Shkurta, 53-vjeçare nga Shtimja.

Tash e tre muaj – prej kur ka kuptuar sëmundjen – ajo është duke u trajtuar në Klinikën e Onkologjisë në QKUK.

Klinika e Onkologjisë, QKUK

Por, ndryshe nga Xhevrija, ajo nuk ka vërejtur asnjë ndryshim në trupin e saj.

“Nuk kam asnjë dhimbje e as nuk kam vërejtur ndonjë ndryshim në trupin tim, ndonjë gjëndër apo diçka tjetër, mirëpo sëmundja është aq agresive që prej fazës së dytë u shpërnda shpejt”, tregon Shkurta për Shqip-in.

Vetëm për tre muaj trajtim të kësaj sëmundje, ajo thotë se ka shpenzuar mbi dy mijë euro, shifër kjo e papërballueshme për të dhe familjen e saj.

“Javën e kaluar ka munguar injeksioni që vendoset në terapi dhe është dashur ta blejë bashkëshorti im. Kushtoi 56 euro. Ndonjëherë ka edhe mungesë të barnave, pastaj janë shpenzimet për analiza, sepse disa nuk na i bëjnë në spital. Na thonë ‘nuk kemi material’. Është e vështirë për t’i përballuar”.

Numri i grave me kancer të gjirit në Kosovë është rritur për 10 për qind në vitin 2021, krahasuar me atë paraprak.

Drejtori i Klinikës Onkologjike, Ilir Kurtishi, në një prononcim për Shqip-in tha se në vitin 2020 kanë qenë rreth 350 të reja të kësaj sëmundje, ndërsa në vitin pasues mbi 400.

“Kjo rritje e rasteve mund të jetë për shkak se në vitin 2020 ka pasur pandemi dhe shumë gra nuk kanë shkuar te mjeku për të bërë kontrolle”.

Sipas Kurtishit, në Onkologji të gjitha trajtimet janë falas, ndërsa pohoi se aktualisht nuk kanë mungesë të barnave.

Por, ana tjetër, Nafije Latifi nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta Vita”, thotë se vazhdimisht pranojnë ankesa nga pacientet me këtë sëmundje.

No photo description available.

“Pranojmë ankesa të shumta të pacienteve jo vetëm për mungesë të barërave, por edhe pritjet për marrjen e kimio e radioterapisë dhe përmbushjen e nevojave të tyre me pajisje ndihmëse si paruke, gjoksore e proteza, të cilat ne si shoqatë mundohemi me i sigurua me donacione të ndryshme”, pohoi ajo në një përgjigje me shkrim për redaksinë.

Gratë që ankohen në organizatë për mungesën e këtyre shërbimeve, Latifi tha se i udhëzojnë të ankohen në Ministrinë e Shëndetësisë, sepse “as Stafi i Klinikës Onkologjike nuk është fajtor për këto mungesa…”.

“Asnjëherë nevojat e pacientëve nuk arrijnë të përmbushen plotësisht. Prandaj, pacientet janë të detyruara që një sasi të konsiderueshme të barërave – për kimio, hormono e target terapi t’i blejnë vetë, krahas çmimeve jashtëzakonisht të larta”.

Me 4 shkurt shënohet Dita Botërore Kundër Kancerit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo vit miliona njerëz vdesin nga kanceri, shumica në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme./SHQIP.com