Sport Shqiptar

Tre kosovarë do mund të luajnë kundër Kosovës- Zvicra publikon listën e lojtarëve

Xhaka dhe Shaqiri në ndeshje për Zvicrën

Zvicra ka publikuar listën e futbollistëve që do të marrin pjesë në miqësoret e muajit mars.

Helvetikët do të jenë mysafir të Anglisë në ‘Wembley’, më 26 mars, ndërsa pas tre ditësh, më 29 të këtij muaji presin Përfaqësuesen e Kosovës.

Ndeshja kundër ‘Dardanëve’ do të luhet në “Letzigrund Stadium” të Zyrihut, ku trajneri i Zvicrës Murat Yakin tanimë ka publikuar edhe listën me 25 futbollistë.

Pjesë e të përzgjedhurve nga 47 vjeçari me origjinë turke, janë edhe tre kosovarë: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Andi Zeqiri.

Ndërkohë, mungesa kryesore e zviceranëve pritet të jetë Denis Zakaria i Juventusit.

Për ndeshjen ka interesim tejet të madh, pasi të gjitha biletat tashmë janë shitur, raporton Telegrafi.

Nga ana tjetër, Kosova përpos Zvicrës, një ndeshje miqësore do ta zhvillojë kundër Burkina Fasos në “Fadil Vokrri”. /Shqip.com