Lajme

Tre helikopterë serbë fluturojnë afër pikave kufitare me Kosovën (VIDEO)

Helikopterët serbë duke fluturuar afër Kosovës

Tre helikopterë të forcave serbe janë parë në pasditen e së premtes afër pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, përcjell Shqip.com.

Ata janë parë duke patrulluar rreth kufirit në ditën kur protestuesit serbë kanë bllokuar rrugët si shenjë revolte për vendosjen e reciprocitetit me targat serbe nga Qeveria e Kosovës.

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, e ka cilësuar si kërcënim të drejtpërdrejtë për Kosovën nga Ushtria Serbe.

“Tre helikopterët ushtarakë serbë, të tipit ‘Gazela’, duket se kanë thyer Marrëveshjen e Kumanovës dhe marrëveshjen me NATO-në, sepse kanë hyrë në territor ku nuk guxojnë të hyjnë”, ka thënë Musliu për ATV.

Kurse, lidhur me tensionet në Veri të Kosovës, mbrëmjen e së premtes ka reaguar edhe NATO duke kërkuar shtensionim të situatës dhe dialog mes dy shteteve.

Lexo edhe:
NATO bën thirrje për shtensionim të situatës në Veri të Kosovës

Ndryshe, të hënën, Qeveria e Kosovës ka vendosur reciprocitetin e targave me Serbinë, sipas të cilit, çdo veturë që hyn në Kosovë duhe t’i ndërrojë targat e veturave me ato të përkohshme të Kosovës.

Si shenjë revolte për këtë, banorët serbë në komunat veriore të Kosovës kanë bllokuar rrugët, duke mos lënë kështu që most ë kalojë askush.

Për të mbikëqyrur situatën, aty janë pozicionuar Njësitet Speciale të Kosovës, që po qëndrojnë aty nga e hëna./Shqip.com