Lajme

Transporti publik në krizë, kërkohen 500 shoferë! Shoqata: Paga 90 mijë lekë – Së shpejti me biletë elektronike

Shërbimi i transportit publik në të gjithë vendin kërkon 500 drejtues autobusësh.

Largimi i fuqisë punëtore ka bërë që të rritet nevoja për shoferë, ku në total sipas kodit të punës me orare dhe pushime, duhen mbi 1000 drejtues të kategorive të ndryshme për 250 kompani trnasporti qytetase e ndërqytetase.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Publik, Dashnor Mema ka thënë se është zgjatur orari i punës së drejtuesve aktualë si zgjidhje provizore, por ndërkohë është rritur dhe mosha mesatare e pranimit të shoferëve në 50 vjeç.

“Ndryshe nga sektorët e tjerë ne nuk marrim dot punëtorë të huaj sepse duhet t’i përshtaten sektorit tonë, duhet të kenë eksperiencë sepse kanë në kurriz një numër të madh pasagjerësh. Operatorët i kemi nxitur që të rrisin pagat. Paga minimale e një shoferi duhet të jetë 90 mijë lekë neto, duhet edhe më shumë, por të paktën të jetë kjo shifër sepse kanë përgjegjësi dhe duhen shpërblyer që të rrinë në punë. Kemi mungesë të stafit por operatorët po mundohen t’i mbulojnë këto boshllëqe duke marrë shoferë në kompanitë e tjera apo duke punuar në orare të zgjatura“, tha Mema.

Sfidë për 2024 sipas kreut të Shërbimit të Transportit Publik, Mema, është infrastruktura.

Aktualisht po shtohet flota e mjeteve hibridë, ndërkohë sipas tij pritet shumë shpejt të aplikohet edhe bileta elektronike./ SCAN

/Shqip.com