Lajme

Tragjedia në Himarë, Rama: Uroj që drejtësia t’i japë ndëshkimin më ekstrem fajtorit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur sërish rreth tragjedisë që ka ndodhur të martën në Himarë, ku një 7-vjeçare është goditur për vdekje nga një motoskaf.

Përmes disa postimeve në Twitter, kreu i qeverisë shqiptare tha se uron që drejtësia t’i japë ndëshkimin më ekstrem fajtorit për këtë tragjedi.

“Sa për çetat e udhëhequra nga nongratat dhe nga ata me identitet të dyfishtë që kërkojnë ta kthejnë këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike, kjo s’është as e para as e fundit herë kur një fatkeqësi që trondit shoqërinë, ekspozon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre! Madhësia e tragjedisë së djeshme në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër,ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s’lenë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar”, ka shkruar më tej Rama.

Gomona me të cilën u vra 7-vjeçarja në Himarë

Ngjarja e rëndë ndodhi pas mesditës së të martës në plazhin e Potamit ku një fëmijë u përplas për vdekje teksa ishte në breg, nga një skaf i cili drejtohej nga polici Arjan Tase.

Tase ka dhënë dëshminë e tij para prokurorisë shqiptare.

Ai ka sqaruar se gomonia të cilën e ngiste ka marrë gaz në mënyrë të menjëhershme dhe ka bërë një rrotullim në vend e për pasojë ai ka humbur kontrollin.

Në këtë moment ka goditur vajzën 7-vjeçare e cila ka humbur jetën menjëherë.

Tase ka deklaruar se në mëngjes kishte shkuar me makinë në Porto Palermo për të marrë aty gomonen dhe se mjetin ia kishte marrë djalit të xhaxhait, shkruan Euronews.

Gjithashtu, ka sqaruar se vetë kishte leje drejtimi të mjeteve lundruese.

Ai mbante detyrën Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan dhe pas kësaj ngjarjeje, është përjashtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano./Shqip.com