Lajme Botë

Tragjedi në Jemen, teksa po shpërndahej ndihma për Ramazan, vdesin me dhjetëra persona

Foto: Reuters
Foto: Reuters

Një turmë njerëzish të trembur me sa duket nga të shtënat me armë zjarri dhe një shpërthim elektrik, u përfshi në një rrëmujë gjatë një veprimtarie për shpërndarjen e ndihmave financiare në kryeqytetin e Jemenit të mërkurën vonë, duke lënë pas vetes të paktën 78 të vdekur dhe të paktën 73 të tjerë të plagosur.

Abdel-Rahman Ahmed dhe Yahia Mohsen, të cilët ishin dëshmitarë në vendin e ngjarjes, thanë se Houthit e armatosur shtinë në ajër në një përpjekje për të kontrolluar turmën, duke qëlluar me sa duket telat e elektrikut dhe duke shkaktuar një shpërthim. Kjo shkaktoi panik dhe turma ku kishte shumë gra dhe fëmijë, u përfshi nga rrëmuja, thanë ata.

Videot e postuara në rrjetet sociale shfaqën dhjetëra trupa të shrtirë në tokë, disa të palëvizshëm dhe të tjerë duke klithur ndërsa njerëzit përpiqeshin të ndihmonin.

Sipas Ministrisë së Brendshme të drejtuar nga Houthit, rrëmuja ndodhi në qytetin e vjetër në qendër të Sanaas, ku qindra njerëz të varfër u mblodhën në një veprimtari të organizuar nga tregtarët.

Zëdhënësi i ministrisë, Abdel-Khaleq al-Aghri, fajësoi shpërndarjen e fondeve pa bashkërendim me autoritetet lokale. Tragjedia ndodhi para festës myslimane të Fitër Bajramit, që shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Motaher al-Marouni, një zyrtar i lartë shëndetësor në Sanaa, i tha kanalit televiziv satelitor Al-Masirah të kryengritësve se numri i të vdekurve është 78 dhe shtoi se të paktën 13 të janë të plagosur rëndë.

Kryengritësit mbyllën shpejt shkollën ku u mbajt ngjarja dhe ndaluan afrimin e të gjithëve, përfshirë edhe gazetarët. Ministria e Brendshme tha se ka arrestuar dy organizatorë dhe një hetim është duke u zhvilluar.

Kryeqyteti i Jemenit është nën kontrollin e Houthive të mbështetur nga Irani, që kur ata zbritën nga bastioni i tyre verior në vitin 2014 dhe rrëzuan qeverinë e njohur ndërkombëtarisht.

Kjo bëri që një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite të ndërhynte në vitin 2015 në përpjekje për të rivendosur qeverinë.

Konflikti është shndërruar në vitet e fundit në një luftë zgjatimesh midis Arabisë Saudite dhe Iranit, duke lënë pas vetes më shumë se 150,000 të vrarë, përfshirë luftëtarë dhe civilë dhe duke shkaktuar një nga katastrofat më të rënda humanitare në botë.

Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Bashkërendimin e Çështjeve Humanitare, më shumë se 21 milionë njerëz në Jemen, ose dy të tretat e popullsisë së vendit, kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje. Mes atyre në nevojë, më shumë se 17 milionë konsiderohen veçanërisht të cenueshëm.

Në muajin shkurt, Kombet e Bashkuara thanë mblodhën vetëm 1.2 miliardë dollarë nga 4.3 miliardë të synuara, në një konferencë që kishte për qëllim mbledhjen e fondeve për të lehtësuar krizën humanitare. /VOA

/Shqip.com