Tragjedi në futbollin shqiptar, sulmuesi i Egnatias ndërron jetë në fushën e lojës

Tragjedia në fushën e lojës në futboll prek edhe Shqipërinë. Sulmuesi i Egnatias së Rrogozhinës, Raphael Dwamena 28 vjeç, nga Gana, ka humbur jetën gjatë ndeshjes kundër Partizanit në javën e 13 të Abissnet Superiore pas një ataku kardiak. I lindur në vitin 1995, Raphael Dwamena, golashënues i Superiores këtë sezon, nuk jeton më.

Ai u rrëzua në fushë pa ndjenja teksa luhej minuta e 25 e pjesës së parë. Ndihma e parë iu dha nga mjekët e të dy ekipeve në fushën e blertë por gjendja e futbollistit dukej kritike.


Dwamena u transportua në spitalin e Kavajës me urgjencë, por nuk ka mundur të mbijetojë. Burime pranë këtij spitali thanë se futbollisti mbërriti pa shenja jete.

Sfida mes Egnatia dhe Partizanit është ndërprerë përfundimisht, me lojtarët që iu drejtuan dhomave të zhveshjes.
Mësohet se Dwamena ka qenë me defribilator në zemër dhe më herët doktorët i kishin këshilluar të lërë futbollin. Ai ishte diagnostikuar me një sëmundje në zemër vite më parë. Pavarësisht problemeve shëndetësore, futbollisti ganez nuk ishte shkëputur nga fusha e blertë.
Ngjarja ka tronditur mbarë opinionin sportiv në vend.
Federata Shqiptare e Futbollit ka shprehur tronditjen e thellë për tragjedinë. Përmes një njoftimi, “FSHF i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Dwamena dhe klubit të Egnatias për këtë humbje të madhe dhe ngjarje që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar”.
Federata e Futbollit bën me dije se të gjitha ndeshjet e programuara për këtë fundjavë në të gjitha kampionatet e futbollit në Shqipëri do të shtyhen në një moment të dytë.
Kush ishte Raphael Dwamena
Sulmuesi, i lindur në vitin 1995, Dwamena kishte luajtur në vende të ndryshme përpara se të vendosej në Shqipëri. Ganezi, ai mbërriti në Europë në vitin 2014 dhe kishte luajtur në Spanjë, Austri, Zvicër dhe Danimarkë. Këtë vit ai kaloi te Egnatia, me të cilin ndër të tjera shënoi kundër Interit në miqësoren e 13 gushtit (zikaltërit e fituan ndeshjen 4-2). Ai ishte lojtar i kombëtares së Ganës me të cilën ishte aktivizuar në 9 ndeshje dhe kishte shënuar dy gola.
/Shqip.com